Man Unitedi do të duhet t’i paguajë 13.9 milionë euro për ta larguar Sanchezin


Gazeta Express
15 Maj 2019 10:44

Manchester Unitedi dëshiron ta largojë nga skuadra Alexis Sanchezin, mirëpo situata e tyre vështirësohet kur merret parasysh që klubi duhet t’ia paguajë atij 13.9 milionë euro për ta larguar nga Old Traffordi.

Sulmuesi kilian Alexis Sanchezi ka dështuar në Manchester Unitedit që kur u transferua nga Arsenali para 16 muajve, në një marrëveshje katërvjeçare e gjysmë, me pagë prej 500 mijë funtave në javë, transmeton Gazeta Express.

Pasi Sanchezi ka arritur ta shënojë vetëm një gol në të gjithë sezonin e Premierligës, Manchester Unitedi dëshiron ta largojë atë nga skuadra në mënyrë që të ketë hapësirë për transferimin e lojtarëve të rinj.

Interi është i interesuar për Sanchezin, mirëpo ata nuk janë të gatshëm ta blejnë kilianin për shkak të pagës së tij të lartë. Opsioni i vetëm, sipas The Mirror, do të ishte huazimi i Sanchezit në Inter për një sezon, por “Djajtë e kuq” do të duhej t’ia pagunin atij gjysmën e rrogës – 250 mijë euro në javë.

Trajneri Ole Gunnar Solskjaer nuk dëshiron ta ketë në skuadër Sanchezin për sezonin e ardhshëm dhe ai dëshiron ta përforcojë skuadrën në mënyrë që të përfundojë në një pozitë më të mirë sezonin tjetër.

Me skuadrën aktuale, Manchester Unitedi përfundoi në pozitën e gjashtë në tabelën e Premierligës, duke e humbur kështu mundësinë që të luajnë në Ligën e Kampionëve sezonin tjetër. Ata do të duhet të pajtohen me pjesëmarrjen në Ligën e Evropës.

Mungesa e klubit në Ligën e Kampionëve e vështirëson situatën e klubit sa i përket transferimeve, pasi që yjet më të mëdhenj në futbollin evropian nuk dëshirojnë të transferohet te klube që nuk garojnë në skenën më prestigjioze të Evropës. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart