Man Unitedi, afër transferimit të lojtarit të parë për sezonin e ri


Gazeta Express
10 Maj 2019 10:28

Manchester Unitedi është shumë afër arritjes së një marrëveshjeje për transferimin e anësorit të Swanseas, Daniel James, për 15 milionë funta. Nëse kompletohen edhe detajet e fundit të kësaj marrëveshjeje, James do të jetë lojtari i parë që transferohet për sezonin e ri.

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, ka bërë të ditur se ai synon ta rindërtojë skuadrën e tij për sezonet e ardhshme, në mënyrë që t’i kthejë “Djajtë e kuq” në majat e futbollit evropian, transmeton Gazeta Express.

Sky Sports raporton se lojtari i parë i cili do të transferohet për ta arritur këtë rindërtim është anësori i Swansea Cityt, Daniel James. Këtë sezon, James ka luajtur bashkë me Bersant Celinën në Championship, nivelin e dytë të futbollit në Angli.

James e kishte kërkuar edhe më parë largimin nga Swansea dhe gjatë afatit kalimtar të janarit kishte qenë shumë afër transferimit të Leeds United për 8.5 milionë funta. Mirëpo, në fund kjo marrëveshje dështoi.

Leeds Unitedi e pati mundësinë që ta huazojë Jamesin për 1.5 milionë funta deri në fund të vitit dhe pastaj verës ta blejë për 7 milionë funta. Kjo shumë është dukshëm më e lirë sesa ajo që po i kërkohet Manchester Unitedit, 15 milionë funta.

Jamesit i ka mbetur vetëm edhe një vit në kontratën e tij me Swansea Cityn. Ai ka shkëlqyer këtë sezon në Angli, ku në 38 paraqitjet e tij, i ka regjistruar pesë gola dhe dhjetë asiste.

21-vjeçari preferon të luajë në pozitën e sulmuesit të krahut të majtë, mirëpo nganjëherë luan edhe në pozitën e sulmuesit të krahut të djathtë dhe si mesfushor sulmues.

Manchester Unitedi ka më shumë nevojë për një sulmues në krahun e djathtë sesa një në krahun e majtë. Aktualisht në skuadër të “Djajve të kuq” në krahun e majtë preferojnë të luajnë Anthony Martial, Marcus Rashford dhe Alexis Sanchez. Ndërsa, në krahun e djathtë, Solskjaer luan me lojtarë të cilëve ua ndërron pozitën, si Juan Mata. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart