Makina u bë shoshë në plumba… hetimet zbulojnë se “viktima” e “killeri” e sajuan vetë atentatin në Vlorë


load
Gazeta Express
4 Qershor 2019 12:29

Një breshëri plumbash u qëllua mbi makinën e tij të tipit Volksëagen Golf, por ai arriti t’i shpëtojë atentatit duke devijuar në rrugë e më pas duke dalë jashtë saj.

Ky ishte përshkrimi i një atentati të ndodhur në Vlorë më 12 maj, por këtë të martë policia në bashkëpunim me prokurorinë kanë dalë në konkluzionin se në fakt nuk kemi të bëjmë me një atentat të mirëfilltë, por me një sajesë.

Policia thotë se ka arrestuar “viktimën”, 24 vjeçarin Romarjo Aliraj si dhe mikun e tij, 51 vjeçarin me inicialet A.V. Ka qenë ky i fundit që ka qëlluar më armë në drejtim të makinës, nga ku më pas u pretendua prej 24 vjeçarit se i ishte bërë atentat.

Policia nuk jep detaje më shumë në lidhje me arsyen se përse dy vlonjatët kanë ndërmarrë diçka të tillë.

NJOFTIMI:

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e  ngjarjes së ndodhur më datë 12.05.2019, ku persona të paidentifikuar kanë tentuar të vrasin 24 vjeçarin R. A, i cili në momentin e sulmit ishte duke drejtuar automjetin e tij Volksëagen Golf në autostradën Vlorë-Levan, Policia në bashkëpunim me Prokurorinë  ka zbardhur ngjarjen, ku ka rezultuar se ngjarja është sajuar nga autori dhe shoku  i tij , për interesa personale.

Në këtë kuadër u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:

A., 24 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Kallëzimi i rremë”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i vuajtjes së dënimit” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”.

V., 51 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Kallëzimi i rremë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.

Nga hetimet e kryera dhe provat e administruara ka rezultuar se shtetasi A.V në bashkëpunim me vetë shtetasin  R.A, kanë përgatitur, simuluar dhe realizuar vetë ngjarjen në fjalë për interesa personale duke përdorur gjithashtu edhe një armë zjarri automatike.

Gjithashtu, për shtetasin R.A, më datë 01.06.2019,  Gjykata  ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”,  por ditën e djeshme (03.06.2019) është konstatuar nëpër qytet duke mos zbatuar detyrimet ligjore në lidhje me masën e sigurisë.

Materialet në ngarkim të personave të ndaluar i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme

Te fundit


Kthehu lart