Majmuni sheh, majmuni bën


Gazeta Express
10 Korrik 2019 16:19

Sigurisht që në anglisht kjo thënie tingëllon shumë më mirë, Monkey see – Monkey Do. Është fjala për Thaçin, Trumpin dhe lirinë e shprehjes në vendin tonë

Berat Buzhala

Kosova, sa për atë punë i gjithë Ballkani, kurrë nuk ka qenë tokë pjellore për asgjë që ka në vete lirinë. Fatkeqësisht Liria e Mediava, nga të gjitha liritë që qytetarët kanë nevojë, ka qenë më e parëndësishme. Ënde është.

Ne jemi rritur në një shoqëri ku Lajmi dhe Shtypi kanë pasur kuptim krejtësisht tjetër prej çfarë e kanë sot.

Njerëzit që e kanë dhe edhe më tutje e udhëheqin Kosovën, në këto 20 vjet, edhe kur e kanë respektuar lirinë e mediave nuk e kanë bërë këtë se kanë besuar në disa vlera, ose se kanë qenë të bindur, por sepse janë frikësuar nga reagimi i ndërkombëtarëve. Kohëve të fundit nuk po frikësohen më.

Me lejoni ta ilustroj këtë: I dyti lider botëror që e ka përdorur një shprehje ofenduese për mediat, duke i quajtur ato Fake News, pas Presidentit Trump, ishte Presidenti i Kosovës. Ai ka menduar, ai mendon dhe ai shpreson që një rend i ri botëror po vjen, ku ai nuk do të detyrohet t’i shtypë impulset e tij. Nëse kjo çështje përkeqësohet edhe më tutje në Evropë, duke i bëre eho deklaratave të Trumpit që i quan gazetarët armiq të popullit, gazetarët në jug të kontinentit evropian do të jenë viktimat e para.

Për shkak të kontributit që e kemi pranuar nga bashkësia ndërkombëtare, pas intervenimit të NATO’së në vitin 1999, unë mendoj që mediat në Kosovë qëndrojnë pak më mirë se sa mesatarja e rajonit. Kjo për shkak që ne e kishim nisur prej zeros.

Fatkeqësisht pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, pas tërheqjes së mbikëqyrjes ndërkombëtare, ne jemi dëshmitarë të një regresi në këtë fushë. RTK, shërbyesi publik, është i pari që i ka ndier pasojat. Para disa viteve ky transmetues publik ka qenë shembull i mirë për të gjithë rajonin. Tash drejtor i përgjithshëm i tij është zgjedhur një djalë që ka qenë i njohur si gazetari i preferuar i Presidentit për 10 vjet. Prandaj, për shkak të ndryshimit të këtyre rrethanave, do të ishte më e rrugës që ky televizion të quhet televizion shtetëror, ose televizion presidencial, e jo më publik.

Përveç kësaj, gjërat po përkeqësohen në shumë aspekte të tjera. Partitë politike, ato që e ndajnë pushtetin, po e përdorin dhe po e keqpërdorin ekonominë e dobët për t’i shantazhuar mediat. Shantazhi me marketing është mënyra moderne e kontrollimit të mediave. Oligarkët, të cilët i kanë krijuar politikanët, vendosin se cilat media duhet të marrin marketing, e cilat jo. Presidenti Thaçi, e tash së fundmi edhe shoku i tij, kryetari i Kuvendit Veseli, i targetojnë bizneset e ndershme që kanë vendosur të bëjnë marketing jo në bazë të preferencave politike, por në bazë të shikueshmërisë dhe lexueshmërisë së mediave. Ata njerëz që nuk binden bëhen target të persekutimeve, ose nga prokurorët ose nga zyrtarët e administratës tatimore që i vizitojnë bizneset e tyre më shumë se sa të tjerat. Një fenomen i tillë është nënvizuar ditë më parë edhe nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

Në anën tjetër disa oligarkë i kanë krijuar mediat e tyre për t’i shërbyer me lojalitet padronëve të vërtetë.

Si përfundim: Oligarkia, kontrolli i marketingut, shpërndarja e reklamave, janë kërcënimi modern dhe më helmues për lirinë e mediave. Fatkeqësisht Google dhe Facebook, dy gjigantët e internetit të cilët do të mund ta ndërpritnin këtë cikël të ngjarjeve, janë duke ju ndihmuar njerëzve të gabuar. Google Adsense, që është kompania më e madhe e marketingut online në botë, edhe më tutje nuk e pranon gjuhën shqipe; që do të thotë mediat online në gjuhën shqipe e kanë të ndaluar ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Të njëjtat probleme janë edhe me reklamat e Facebook dhe algoritmët e Facebook. Është tepër e dhimbshme kur e sheh se si këto korporata të mëdha reagojnë në mënyrë rapide kur kanë të bëjnë me brende të respektuara të gazetarisë, siç janë New York Times dhe The Guardian dhe sa neglizhuese janë me ne. Të qenit i padëgjuar dhemb më së shumti. Google dhe Facebook duhet ta dinë këtë gjë.

(Prezantimi im në Konferencën Globale të Londrës për Lirinë e Mediave të organizuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë).

Te fundit


Kthehu lart