Majlinda: Xhudoja s’është sport i meshkujve, ju kam demonstruar se femrat mund të arrijnë suksese


Gazeta Express
11 Korrik 2019 18:07

Para garës së Grand Prixit të Budapestit, kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi jep një mesazh të fortë për barazinë gjinore në sport

Majlinda Kelmendi ka folur për “Olympic Channel” për Federatën Ndërkombëtare të Xhudos, me ç’rast është ndalur tek tema e barazisë gjinore në sport, shkruan Gazeta Express.

Xhudistja pejane e ka përmendur diskriminimin e sportisteve femrave, duke shtuar se ajo iu ka treguar të gjithëve në Kosovë se edhe femrat mund të merren me sporte luftarake siç është ai i xhudos.

“Të jem e sinqertë, në Kosovë është një përqindje e madhe e njerëzve që mendojnë se xhudo është më shumë sport për meshkuj dhe kjo nuk më pëlqen aspak”, ka thënë fillimisht Majlinda.

“Sepse, unë jam femër dhe merrem me xhudo dhe mendoj se jam ambasadorja më e mirë e Kosovës. Pra, unë jam femër dhe merrem me xhudo. Prandaj, mendoj se ju kam treguar njerëzve se edhe nëse jemi femra, mund të bëhemi kampione”, ka vazhduar Kelmendi.

“Ne mund të jemi të forta, ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Uroj që ky mendim dhe qëndrim të ndryshojë dita-ditës”, shprehet tutje xhudistja pejane.

Ajo ka shtuar se ndihet e lumtur kur në gara sheh femra nga besime të ndryshme dhe është e lumtur që ky sport i pranon ato sido që janë ato apo prej ngado që vijnë.

“Kjo do të thotë shumë për mua dhe mendoj se po bëhet çdo ditë mirë e më mirë. Federata Ndërkombëtare e Xhudos, po ashtu edhe Federata Evropiane e Xhudos po punojnë në këtë drejtim, kështu që mendoj se po shkon më mirë tash”, ka përfunduar sportistja më e madhe kosovare, e cila nesër synon të fitojë medalje në “Budapest Grand Prix 2019”. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart