Madeleine Albright Geci, kosovarja që mban emrin e ish-sekretares amerikane


Gazeta Express
12 Qershor 2019 18:38

Edhe pse e mbanë emrin e ish-sekretares amerikane, Madeleine Albright Geci nuk ka mundur që ta takojë atë sot me rastin e shënimit të 20 vjetorit të lirisë së Kosovës. Megjithatë më parë, kishte pasur rastin që ta takonte dy herë.

Madeleine Albright Geci nga Skenderaj ka folur rreth ndjenjës që ndan emrin e njëjtë me “Zonjën e Rëndë”.

“Ndihem tepër krenare që përtërij një emër të një zonje të madhe si Madeleine Albright, ndihem e privilegjuar”.

“E mbaj me shumë krenari dhe ndihem e veçantë pasi ish-sekretarja Madeleine Albright është grua e fortë dhe kam lexuar shumë gjëra për personalitetin e saj, si një grua e fortë dhe besnike për vendin e vet dhe popullin tim”, thotë ajo për klan kosova.

Madeleine kosovare ka folur edhe rreth takimit me zonjën amerikane.

“Madeleinen e kam takuar herën e parë në moshën 5 vjeçare, atëherë kam qenë e vogël që të dijë diçka për të pos pastaj kam lexuar dhe kam mësuar për të, herën e dytë e kam takuar në moshën 13 vjeçare”.

“Shpresoj që ta takoj sërish. Si të më ofrohet mundësia vendin e parë që do ta vizitojë është Amerika dhe atje do të kërkoj të takoj zonjën Albright”, deklaroi Madeleine Albright Geci.

E babai i vajzës, Halil Geci ka treguar se pse ia la këtë emër vajzës.

“Madeleine më kujton kohën e luftës, ma kujton fjalimin e saj të fuqishëm për ndalimin e gjenocidit serb, sa herë që e thërras rrëqethem pasi me kthen në kohën tonë të vështirë. Kur e thërras më duket se e thërras lirinë”, thotë ai.

Madeleine e pyetur nëse do të ndjek rrugën e “Zonjës së Rëndë” sa i përket politikës tregoi se është duke studiuar gjuhën angleze dhe se nuk ka dëshirë t’i hyjë politikës

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart