“Made in” në perspektivën e konsumatorit - Gazeta Express
string(41) "made-in-ne-perspektiven-e-konsumatoritlkj"

Gazeta Express

16/02/2020 20:19

“Made in” në perspektivën e konsumatorit

Gazeta Express

16/02/2020 20:19

Kosovarët në vit kanë shpenzuar 450 milion euro në produktet e prodhuara  “made in” Serbia, më saktësisht diku 1.2 milion euro brenda ditës. Për kokë banori, del që mesatarisht secili banor i Kosovës, në ditë i ka shpenzuar 0.60 centë për këto  produkte.Por, njëherësh, konsumatori kosovar  në vitin 2018 ka bartur në kuletën e tij inflacion 2.9%, ndërsa në vitin 2019 inflacion 2.7% .

Shkruan: Brikena Berisha*

Lexo Edhe:

Nocioni “vendi i origjinës”, apo e njohur edhe si COO (country of origin), edhepse mund të gjenden fakte se daton diku 4000 para erës sonë,  kur në çdo produkt shkruhej përveç vendit të origjinës edhe emri i prodhuesit, zyrtarisht ka filluar të përdoret nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 1887. Ky ishte një tentim për zvoglimin e blerjes së prodhimeve nga jashtë Mbretëria, veçmas për të zbehur blerjen e prodhimeve nga Gjermania. Kështu, efekti “made in” fillon të zë vend të rëndësishëm në kompanitë prodhuese si dhe në legjislaturën rregulluese të tregtisë ndërkombëtare. Për arsye  të përpjekjeve të qeverive për mbështetjen e prodhimit vendor kundrejt atij të huaj, pastaj tentimit të rritjes së konsumit apo uljes së konsumit të produkteve nga vende të caktuara dhe deri tek kundërpërgjigjet për sjellje të papëlqyeshme të një vendi për vendin tjetër, këto kanë bërë që sot, vendi i origjinës është i detyrueshëm të vendoset në produkte në pothuajse në gjithë botën. Mbi të gjitha, kjo e ndihmon shtetin në mbrojtjen e prodhimit në të cilën ka përparësi krahasuese të prodhimit kundrejt vendeve tjera që atë produkt s’mund t’a prodhojnë dhe detyrohen ta importojnë.

Praktikat e tilla dhe efektet apo kundërefektet në studimet e sjelljes së konsumit filluan të jenë temë e nxehtë sidomos në vitet 1970, andaj sot numrohen mijëra punime shkencore në këtë fushë. E trajtuar nga këndvështrime të ndryshme, në shumë studime pikë analize ishte edhe kundërpërgjigja e vendeve ndaj shteteve me të cilat marrëdhënia nuk ishte edhe aq miqësore. Sigurisht derisa në anën tjetër, ka ende po kaq shumë studime që flasin se si  të liberalizohet tregtia, megjithkëtë efekti “made in” ka mbetur më shumë në kontekstin e perspektivës së konsumatorit në përcaktimin për konsumim apo të produkteve të caktuara, sidomos atëherë kur gama e zgjedhjes është shumë e madhe.

Dilema: Kultura dhe ndalesa e blerjes

Kosovarët, në vit kanë shpenzuar 450 milion euro në produktet e prodhuara  “made in” Serbia, më saktësisht diku 1.2 milion euro brenda ditës. Për kokë banori, del që mesatarisht secili banor i Kosovës, në ditë i ka shpenzuar 0.60 centë për produktet e prodhuara në Serbi. Konkretisht, çdo kosovar me vetëdëshirë, i ka dërguar ekonomisë së Serbisë përafërsisht 0.60 centë në ditë. Pas vite praktikimi të tillë konsumues, që nga nëntori i vitit 2018 gjërat kanë ndryshuar. Nga ky muaj, blerja e produkteve nga Serbia ka rënë për 99%, që do të thotë se kosovarët për një vit po i shpenzojnë vetëm 4 milion euro për ato produkte, ose , për një  ditë secili qytetar i shpenzon 0.005 centë.

Marrë parasysh historinë mes dy shteteve, secila shifër nga shpenzimet mund të jetë pikë interesi për analizë. E para, si është e mundur që qytetarët të vendosin në mënyrë unanime të mos blejnë fare produktet që i kanë konsumuar aq shumë? E dyta, me cfarë produkte janë zëvendësuar ato?

Realisht, konsumatori kosovar, nuk ka vendosur të mos i dërgojë Serbisë 1.2 milion euro në ditë, por kjo i është ndaluar nga shteti, duke e vështirësuar prurjen e këryre produkteve në tregun kosovar. Për hir të së vërtetës, kjo nuk është bërë për t’a mbrojtur prodhuesin vendor. Kjo nuk është bërë as për t’a mbrojtur atë si konsumator duke i ofruar produkte tjera më të lira, por kjo nuk është bërë as për arsyen se tregu në të cilin ky konsumator blen, ka llojllojshmëri produktesh dhe ato nga Serbia janë të panevojshme.

Por, është e ditur, një qeveri e ka për detyrë të kontrollojë tregun e konsumit në vend, të ndihmojë prodhuesit e qytetarët në plotësimin e nevojave të tyre. Me ekstremet e lëvizjes së konsumit, realisht, të dy situatat duhet të jenë shqetësuese për qeverinë. E para, pse qytetari shpenzon aq shumë para në produktet e Serbisë? E dyta, çfarë po ndodh me prodhuesin vendor dhe, e treta, çka ndodhi në tregun e Kosovës kur qytetarit iu ndalua të konsumojë produktet e caktuara? Shumë do të arsyetonin se produktet e tilla nuk do të duhet të konsumoheshin kurrë dhe për këtë ekzistojnë dhjetëra arsye valide. Por në të njejtën kohë, lind pyetja se a i ka ditur qytetari i Kosovës arsyet për moskonsum? Nëse i ka ditur, pse ka vazhduar të shpenzojë kaq shumë para për ato produkte? Nëse konsumatori nuk ka pasur kurrfarë arsye që do të ia ndalonte konsumin e mallërave nga Serbia, atëherë cfarë ka bërë qeveria në këtë rast t’i vetëdijësojë dhe t’i informojë ata? Apo, mos ka qenë konsumi i produkteve nga Serbia, alternativë e vetme?


“Made in” si vetëmbrojtje

E arsyetuar si kundërpërgjigje ndaj politikës së jashtme agresive të Serbisë kundër Kosovës, taska 100% thuajse zhduku produktet “made in Serbia” në Kosovë. Ajo që dihet sakt është se që nga ndalimi i blerjes së mallrave të Serbisë, konsumatori kosovar në vitin 2018 ka bartur në kuletën e tij inflacion 2.9%, ndërsa në vitin 2019 inflacion 2.7 %. Kjo do të thotë se çdo vit çmimet janë rritur dhe konsumatori ka paguar më shtrenjtë, shumë më shtrenjtë produktet e tij bazike, të tilla si bukën dhe drithërat për 12.5%, mishin 3.2% ; qumështin, djathin dhe vezët për 1.5% ; vajrat dhe yndyrërat 3.0% ; pemët 1.9% ; sheqerin, reçelin, mjaltën, çokollatën dhe ëmbëlsirat për 2.4% ; kafe, çaj dhe kakao 11.3% ; pije alkoolike 2.0% ; duhan 2.5%. (Shënim: Mesatarja 2% është neutralizuar nga rënia e çmimit në perime -3.2%; shërbime për transport -2.9% (rënie e çmimeve të biletave të transportit ajror); pajisjet audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave -3.3%).

Analizuar në tërësi, është shumë e natyrshme kundërpërgjigja e një vendi kundrejt një tjetri për veprime që e dëmtojnë atë. Është mëse e përkrahur nga secili qytetar forcimi i pozicionit në politikën ndërkombëtare dhe për trajtimin dinjitoz të vendit të tyre. Por, qeveria e Kosovës a i ka bërë ndonjëherë arsyetim qytetarit të saj, i cili kontribuon përmes taksave, se përse tregu i tij po përjeton inflacion të lartë në produktet bazike? Nëse kjo ka qenë arma e vetme për mbrojtjen e Kosovës si shtet, atëherë a mund të konkludohet që aktorët që janë të thirrur për mbrojtjen e Kosovës kanë dështuar në punën e tyre? A mund të konkludohet që taksat e qytetarëve të përdorura për pagat e një qeverie megalomane, janë keqpërdorur kështu që ky konsumator duhet të vazhdojë ende të paguajë ende nga xhepi i tij?

Qeveria të mbrojë konsumatorin

Ndryshimet politike mund të ndodhin brenda natës. Ndryshimet ekonomike duan kohë të ndjehen, por pasojat barten edhe më gjatë. Është e vërtetë që ekonomia mund të jetë armë në mbrojtjen e një vendi kundër një tjetri për çfarëdo arsye. Sido që të jetë, kur kjo nuk bëhet as për konsumatorin e as për prodhuesin, në një vend që zhvillimin ekonomik e ka në nivelin më të dobët, duhet të argumentohet mirë se pse nuk ka pasur zgjidhje tjetër. Konkretisht, dështimi duhet t’i atribuohet dikujt, qofshin ato misioneve diplomatike të politikës së jashtme apo edhe jokompetencës së qeverisë në politikat e saj të brendshme.

Politikat rreth “made in” janë shumë më të thella se sa roli  i ndalesës si armë mbrojtëse. E veçmas kur efekti i saj tentohet t’i atribuohet një grupi të caktuar qeveritarësh që e shohin një veprim të tillë si vetëm të sukseshëm. Suksesi matet me reflektimin ne mirëqenien e qytetarëve dhe me cilësinë e politikave qeverisëse.  

Kështu në vitin 2020, kur Evropa është duke konsoliduar tregun digjital, tregu i Kosovës përballet me rritje të çmimeve. Kosnumatori global sot është i lirë të shëtisë, të blejë jashtë vendit apo edhe online ato të të mira që i mungojnë, ndërsa ai kosovar epitetin si konsumator global mund t’a ketë vetëm në rrjete sociale. Konsumatori në Kosovë ëshë i izoluar, nuk ka mundësi të shkojë jashtë vendit as për blerje e as për shëtitje dhe nëse vendos të porosisë diçka online, duhet të paguajë taksë 30% të shumës së produktit. Për më tepër ky konsumator, përjeton papunësinë dhe varfërinë prej më të lartave në Evropë, anipse po ky konsumator, mbështet pagesat dhe rrogat e jo pak qeveritarëve, që të punojnë dhe të negociojne zgjidhjen e problemeve të tij.
Këtij konsumatori duhet t’i lejohet vetë të vendosë se çfarë të konsumojë. Qeveria duhet t’a mbrojë nga produktet jocilësore, çmimet joreale dhe pasiguria në treg. Më pastaj qeveria mund të kontribuojë në vetëdijësimin se çka do të thotë konsumi i produkteve të caktuara për ekonominë e tij apo edhe ekonomitë tjera, por asnjëherë duke privuar begatinë e shportës së konstumatorit. Ka mjaft fusha tjera të cilat janë kompetente për mbrojtjen e shtetit, territorin dhe kualitetin e vendimeve mes dy shteteve, e si pikë fillestare për këtë duhet të jetë stafi kompetent dhe strategjitë e mirëfillta.

* Autorja është kandidate për PhD për ekonomi në Universitetin e Lubjanës