Lundrimi - Gazeta Express
string(8) "lundrimi"

Lundrimi

OP/ED

Gazeta Express

08/11/2023 15:10


Si i pakompromis u mitizua, nga dështimet po ç‘mitizohet.
 

Shkruan Dardan Molliqaj

Lexo Edhe:


 Revoltë për dhe ndaj çdo gjëje: Kjo ndoshta e përshkruan më së miri Albin Kurtin gjatë kohës së pasluftës e deri kur u rehatua në kolltukun e kryeministrit. 
 Kundër ndërkombëtarëve e për bashkim kombëtar, s’ka negociata – vetëvendosje, kundër oligarkëve, tajkunëve, korporatave dhe bankave e për punëtorët, kundër elitës e për popullin. Qëndrime të hekurta dhe pa kompromis. Zhytur në lumin e kohës, pa mundësi shkëputjeje, atë botë, një njeri shpresëdhënës e këtë botë i boshatisur nga parimet e dikurshme. Nga retrospektiva qëndrime për polarizim dhe për të mitizuar veten. 
 Lumi dhe rrjedhoja e tij janë të gjata dhe vlerat e mira mund të fshehin qëllimet e vërteta, të shërbejnë si goma për të notuar më lehtë. Prandaj po, fundi e rikuptimëson fillimin. 
 Gomat me të cilat notoi Albin Kurti gjatë rrjedhojës ndërronin, me çaste nga rrethanat e shpesh me qëllim. Me rëndësi nuk ishin as format e tyre: sa të majta, sa të djathta, herë oportuniste e gjithmonë populiste. Madje rastet nuk ishin të rralla kur në vend të gomave atij i shërbenin njerëzit dhe fati i tyre. 
 Sot – nuk pretendoj që është fundi ende -, Albin Kurti gomat e njerëzit i ka zëvendësuar me anije. Tani ai lundron, nuk noton. 
 Dhe kështu.. barka lëkundet në lundrim. 
 Bashkimi u shndërrua në përçarje kombëtare dhe gjuha e mprehtë ndaj ndërkombëtarëve u zbutë. Negociatat nuk i la, por sovranitetin e republikës po e falë me e për Asociacion. Oligarkët e djallëzuar më parë, sot i ka harruar. Punëtorët ëndrrat e tyre i financojnë me kredi e ua gjenerojnë të hyrat bankave dhe korporatave. Popullin e la në ujë dhe vetë u bë elitë. 
 Mënyra si notonte ishte magjepsëse, lundrimi po e ç‘magjepsë. Miti i tij filloi si i pakompromis, kompromiset po e ç’mitizojnë. Dështimet po e fundosin anijen dhe vetë kryeministrin. Koha vie, kur fillimi të ketë marrë kuptim të ri, e anija të jetë fundosur tërësisht, kryeministri as goma nuk do të ketë më për të notuar.

Autori është kryetar i PSD-së