Lumir Abdixhiku ndihet i kërcënuar nga një postim i deputetit Bekë Berisha, i përmend edhe vrasjet e figurave të LDK’së


Gazeta Express
20 Mars 2019 23:47

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë një deklaratë të fortë duke thënë se i vjen turp që i ka kolegë në Kuvend deputetët e AAK-së, partisë së kryeministrit Haradinaj.  Në emisionin Pressing të Televizionit 7, Abdixhiku ka komentuar sulmet e fundit që atij i kanë ardhur nga disa prej deputetëve të AAK’së, pasi ai mbrëmë shkroi për keqpërdorimet milionëshe që sipas deputetit të LDK’së, i ka bërë qeveria Haradinaj në një vjet e gjysmë pushtet.

Abdixhiku thotë se ka zgjedhur të mos u reagoj deputetëtëve të AAK’së, pasi sipas tij ‘nuk do të bie në nivel aq të ulët’.

“Nuk do të bie në nivel aq të ulët” , tha ai.

Por ndaj kësaj deklarate të Abdixhikut ka reaguar ashpër deputeti i AAK-së, Bekë Berisha. Ai në një status në Facebook e ka quajtur Abdixhikun jugosllav.

“Normal që të vjen turp Lumir Jugosllavia”, ka shkruar Berisha në Facebook.

E pak minuta më parë ka reaguar përsëri Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se po ndihet i kërcenuar nga këto linçime.

“Linçimi si mjet i kapësve. Në mungesë të argumenteve, deputeti i AAK-së Bekë Berisha paska shpërndarë foton më poshtë me aludimin se ky individ jam unë. Çfarë mjerimi – për sy, argumente e ide. Përtej faktit që, në kohën e Jugosllavisë e të këtij flamuri unë isha vetëm 5 vjeç, një shpërndarje e tillë e rremë është thirrje për linçim publik. Gjuhën e tillë të linçimit të rremë e kanë përjetuar dhe paguar me jetë shumë veprimtarë të LDK-së më parë. Kjo gjuhë natyrisht se s’më frikëson; por mjetet e tilla tregojnë nivelin e tmerrshëm politik që këta kanë sa herë që të zezat u vihen në shesh”.

Te fundit


Kthehu lart