Lulëkuqja e tetorit - Gazeta Express
string(19) "lulekuqja-e-tetorit"

Lulëkuqja e tetorit

Arte

Gazeta Express

25/10/2021 14:56

Sylvia Plath: “Lulëkuqet në Tetor”, botoi Aleph, Tiranë, 2021

Në atë që do të ishte 89 vjetori i lindjes së poetes amerikane, shtëpia botuese “Aleph” përkujton Sylvia Plath me një libër. “Lulëkuqet në Tetor” është përmbledhja me poezi, disa prej të cilave ajo i shkroi në kohët e fundit të jetës së saj të shkurtër.

Lexo Edhe:

O Zot, cila jam

Që këto gojë të vona të shpallen

Në një pyll ngricash, në një ag lulegrurësh.

Poezinë “Lulëkuqet në tetor”, poetja amerikane e shkroi në ditën e përvjetorit të saj të tridhjetë. Paskëtaj do ta ndiqte një dimër i egër e i ashpër. Më i ashpri që kish parë Anglia përgjatë një shekulli dhe i fundit për Sylvia Plath. Në shkurt të vitit 1963, ajo i dha fund jetës.

Muaji i fundit i jetës së saj qe më prodhimtari jo vetëm për të, por për gjithë historinë e poezisë në anglisht të asaj dekade.

Një përmbledhje të veprës së saj në poezi, e ka sjellë në shqip shtëpia botuese “Aleph”. Ky libër është i dyti nga Sylvia Plath që kjo shtëpi botuese e sjell për lexuesin shqiptar, pas “Lady Lazarus”.  Edhe kësaj here, Gentian Çoçoli i ka besuar penës shqipëruese të mjekut, shkrimtarit dhe përkthyesit Arben Dedja.  Përkthimit në këtë botim i është bashkuar edhe gazetarja Suadela Balliu, duke sjellë perspektivën dhe dimensionin femëror të një poeteje të rëndësishme të botës anglishtfolëse të shekullit XX.

“Unë nuk mund t’iu bashkohem atyre thirrjeve të zemrës që nuk ushqehen nga asgjë tjetër përveç majës së një gjilpëre apo thike …Unë besoj se poeti duhet t’i manipulojë ndjenjat e veta dhe t’i kontrollojë, qoftë edhe ato më të tmerrshmet… me anë të një mendjeje inteligjente”, shkruante dikur Plath.

Ndikimi i saj në stil dhe personazhin që ajo krijoi në poezitë e veta, vijojnë edhe sot pas pesëdhjetë vitesh të ndikojnë dukshëm në krijimtarinë e dhjetëra poeteve jo vetëm në Angli e Amerikë, por kudo në botë.

Zemërimi  ndaj burrit dhe babait ushqejnë këto poezi të errëta, neurotike, të fuqishme, të cilat megjithëse u shkruan në zgrip të jetës përmbajnë një spektër të gjerë e të thellë të ndjenjës njerëzore.

Babi, do duhej të të vrisja.

Vdiqe para se të kisha kohë

Mermer – i rëndë, një çantë plot Zot,

statujë e kobshme me një shputë  gri

I madh si një fokë e San Franciskos.

Kështu shkruan Plath në poezinë e famshme “Babi”. Babai i saj Otto Plath ishte entemolog me profesion dhe vdekja e hershme, (ai vuante nga një përshkallëzim i theksuar i diabetit, të cilin me anë të vetë diagnostikimit-në fillim e kujtoi për kancer mëlçie- kuptoi tepër vonë dhe ndaj refuzoi të trajtohej me ilaçe), kur Plath ishte tetë vjeç, la një traumë të fortë në fëmijërinë e poetes. Megjithatë mamaja e saj, Aurelia gjeti forcë dhe e përkrahu Sylvia-n në ambiciet e saj për karrierë letrare.

Ma kafshoi zemrën e kuqe më dysh.

Isha 10 vjeç kur të varrosën.

Njëzetë vjeç u rreka të vdes

E të kthehesha, të kthehesha, të kthehesha tek ti.

Mendoja se edhe kockat do e bënin.

Ndërkaq, suksesi në poezitë pothuajse që të gjitha autobiografike, vjen prej faktit se Plath falë imagjinatës së jashtëzakonshme poetike, diti t’i shndërrojë temat personale në një përfundim mitik, si përshembull në poezinë “Babi”, ku ajo figurë prusiane e babait të vet shndërrohet në një emblemë të autoritetit mashkullor.

Në pamatshmërinë e procesit natyror, egoja romantike gjen diçka po aq të madhe sa dhe vetja, edhe reagimi i Plath-it ndaj natyrës është i ngjeshur, i palatuar. Këto poezi ofrojnë një vizion ekscentrik ku për vëzhguesin,  jeta natyrore nuk është kurrë e ndarë nga jeta e ndërgjegjes.

E zbrazët kumboj nga m’e lehta çapitje,

Muze pa shtatore, madhështor me shtylla, portikë, rotunda.

Në oborrin tim shpërthen një shatërvan dhe prapë fundoset,

zemër-murg, i verbër për botën. Zambakë mermeri

e përhapin si aromë zbehjen.

Kështu shkruan ajo në poezinë “Grua shterpë”. Por, megjithë këtë liri të jashtëzakonshme shprehjeje, Plath është një mjeshtre e vërtetë,  një poete me një zotërim të shkëlqyer të arsenaleve poetike, me diksion të qartë, me strofa plot shkëlqim dhe me alternime të spikatura të muzikës, të fjalëve dhe vargjeve.

Dendësia imagjinative e poezisë është në të vërtetë vetja e saj, ai krijim triumfues ndaj rrethanave të vështira të një jetë të brishtë njerëzore që ajo pati.

Për shumë arsye, Sylvia Plath përfaqësonte kulmin e gruas së shtresës së mesme: e bukur, me një inteligjencë të pashembullt, me një talent të madh.  Ajo studioi në Smith College e më vonë fitoi një bursë në universitetin e Cambridge, Angli. Aty takoi njeriun e jetës, Ted Hughes-in, një tjetër poet brilant. Nga kjo martesë, ata patën dy fëmijë, Frieda dhe Nicholas ( ky i fundit do t’i jepte fund jetës me vetëvrasje dyzet vite më vonë) dhe jetuan në Devon, në veri të Anglisë ku iu përkushtuan karrierës letrare, me botime lexime, çmime, vlerësime.  Ndërkohë shkaktonin edhe zili përreth çiftit më të famshëm letrar të botës anglishtfolëse dhe madje edhe mes vetë protagonistëve.

Por përkundër kësaj jete ideale në dukje, Plath në poezitë që shkroi për këtë jetë familjare tregon në të vërtetë një pamje krejt të kundërt, të zymtë, plot ankthe e panik, rraskapitje dhe velje, pikërisht sikundër e kishte zbuluar këtë lloj poetike mësuesi dhe më vonë miku i saj Robert Lowell. “Shkruani për tema vetjake dhe që janë tabu”, ishte porosia e tij për studentët poetë.

Nuk është e lehtë të pohoj ndryshimin që bëre,

Nëse jam tani gjallë, atëherë qeshë e vdekur.

Ndonëse, si një gur, e patrazuar prej tij,

Me qëndrim patundur siç e do zakoni.

Jo vetëm më tërhoqe një inç, jo-

As më le të ngre të voglin sy të zhveshur

Drejt qiellit sërish, pa shpresë sigurisht,

Të kuptimit të blusë apo yjeve.

Martesa e saj me Ted u prish më 1962-shin  dhe ajo e pa veten të braktisur, ekonomikisht të pafuqishme dhe me dy fëmijët e saj në Londrën e zymtë e aspak miqësore në sytë e keqja gruaje.

Dhe pikërisht në mesin e dimrit më të ashpër që kish parë Anglia në afro 100 vitet e fundit, Plathin e lëshoi dëshira për jetën dhe ajo u mbyt me vullnet të saj me anë të sobës me gaz, ndërsa fëmijët e saj flinin në dhomën tjetër.

Skaj

Gruaja është përsosur.

I vdekuri

Kurm  i saj vesh buzëqeshjen e përmbushjes,

Iluzioni i një nevoje greke

rrjedh në palët e tunikës

Të zbathurat

Shputa duket sikur thonë:

Kemi mbërritur kaq larg, mori fund.

Çdo fëmijë i vdekur kutullaç, një gjarpër i bardhë

Një në çdo shtambë

Të vogël qumështi, tash zbrazur.

I ka palosur ata

sërish në trupin e saj si petale

Të një trëndafili të mbyllur kur kopshti

Ngurtësohet dhe kutërbimi përgjaket

Nga grykët e ëmbla e të thella të lules së natës.

Hëna nuk ka pse të trishtohet,

Tek vështron nga kësula prej kocke.

Është mësuar me kësisoj.

Të zezat e saj cërcëritin dhe hiqen zvarrë.

Me tiparet e veta mitike, poezitë e Plath tregojnë kalimin prej jetës familjare të përditshme e të zakonshme drejt haluçinantes, drejt çudisë totale.

Poema “Lulëkuqet në Tetor”, për të mos u ngatërruar me një tjetër që mban autorësinë  e Plath, “Lulëkuqet në Korrik’, në thelbin e saj duket se ka kontrastin mes jetës dhe vdekjes.

As retë e diellta në mëngjes nuk bëjnë dot kësi fustankash

As gruaja në ambulancë

Me zemrën e kuqe që i gufon kaq mahnitshëm nën petka

Hir, hir dashurie

Krejt i palypur

Nga një qiell

I zbehtë – i – përflakur

Që i ndez monoksidët e vet të karbonit, nga sy

Mbetur kapsallitur nën bombè.

O Zot, cila jam

Që këto gojë të vona të shpallen

Në një pyll ngricash, në një ag lulegrurësh.

Në thelb, kjo poemë tregon interesin gjithnjë e në zbehje të Plath-it për jetën dhe marrëdhënien e saj të vazhdueshëm me vdekjen.

Kjo krijon një atmosferë të trishtueshme  tek “Lulëkuqet në Tetor”, që lexuesi mund të reagojë duke qenë se vlera harrohet dhe mbizotëron dëshpërimi; është sikur lexuesi dëshiron t’i ketë parë këto gjëra negative përpara, për të ndalur Plath-in që të kalojë nëpër to.

Por, duke qenë se lexuesi nuk mund të zhbëjë dëshpërimin e saj, atmosfera e trishtueshme dhe mesazhi i  melankolisë mbeten.  /Gazeta Liberale