Lukaku dhe Brozovic zihen mes vete, pas barazimit në Ligën e Kampionëve


Gazeta Express
19 Shtator 2019 10:27

Romelu Lukaku dhe Marcelo Brozovic raportohet se e patën një konfrontim mes vete në zhveshtore, pas barazimit të Interit me rezultat 1:1 kundër Slavia Prague, në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Sipas gazetës së madhe italiane, Gazzetta dello Sports, Romelu Lukaku i akuzoi bashkëlojtarët e tij në Inter se nuk kishin shfaqur mjaftueshëm guxim në ndeshjen kundër klubit çek, transmeton Gazeta Express.

Reagimi i sulmuesit belg, që u transferua në Inter këtë verë nga Manchester Unitedi, nuk u prit mirë nga Brozovici, i cili e pa deklaratën e Lukakus si sulm ndaj tij. Kroati e bëri të qartë se nuk pajtohet me kritikat e bashkëlojtarit të tij.

Gazeta shton se lufta me fjalë nuk u shndërrua në zënkë fizike, mirëpo tifozët zikaltër s’do të jenë të kënaqur që ky lajm u bë i ditur vetëm dy ditë para derbit me rivalin e qytetit, Milanin.

Përkundër që e barazuan ndeshjen e parë të sezonit të ri të Ligës së Kampionëve, zikaltrit e kanë një rekord të përsosur pas tri ndeshjeve në Serie A dhe radhiten në kreun e ligës italiane.

Lukaku është përballur me disa sfida që prej transferimit të tij nga “Old Trafford” në “San Siro”. Ai fillimisht u kritikua për peshën e më vonë pati probleme edhe me disa thirrje raciste nga tifozët e Cagliarit, të cilëve u dolën në mbrojtje vetë tifozët e Interit. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart