Lokalet te Katedralja do të rrënohen, Supremja vendos në favor të Ipeshkvisë


Gazeta Express
4 Prill 2019 23:19

Përfundimisht, Komuna e Prishtinës e ka humbur betejën me Ipeshkvinë e Kosovës.

Ka 5 vjet që këto 13 lokale kanë mbetur pa u përfunduar, si pjesë e projektit për qendër tregtare nga Ndërmarrja Publike Banesore.

Derisa kishte pasur dy vendime nga Gjykata Themelore e edhe ajo e Apelit, të dyja palët, Komuna e Prishtinës bashkë me Ipeshkvinë e Kosovës, kishin kërkuar revizion në Gjykatën Supreme, raporton KTV.

Kjo e fundit, këtë vit, ka vërtetuar vendimin e Gjykatës së Apelit dhe të drejtën e shfrytëzimit të pronës në hapësirën ku janë ndërtuar lokalet, ia ka dhënë Ipeshkvisë së Kosovës.

Supremja kërkon nga Komuna e Prishtinës, që ngastrën kadastrale ku ndodhet objekti i katedrales dhe lokalet t’i bartë në Ipeshkvi, si shfrytëzues afatgjatë.

Por, Komuna e Prishtinës ka fituar në një pikë tjetër.

Më 19 shkurt të vitit 2002, Kuvendi Komunal i Prishtinës i kishte dhënë në shfrytëzim Ipeshkvisë 1.2 hektarë tokë, pjesë që përfshinte edhe rrugët publike si “George Bush” e “Bill Clinton” si dhe objektin e ATK-së.

Vendimin e kishte ndryshuar më vonë, por Ipeshkvia kishte kërkuar kompensim me një tokë diku tjetër prej 5 mijë e 345 metrash katrorë.

Në këtë pikë, Supremja ka refuzuar kërkesën e Ipeshkvisë dhe i ka dhënë të drejtë Komunës së Prishtinës.

Derisa vendimin nuk e ka parë as Ipeshkvia e as Komuna e Prishtinës, kryetari i kësaj të fundit, Shpend Ahmeti, ka thënë se në kontest ka qenë hapësira ku janë ndërtuar lokalet dhe, në bazë të kësaj, lokalet do të rrënohen dhe në këtë hapësirë nuk do të jepet leje për ndërtim.

Por, edhe krye-ipeshkvi i Kosovës, Don Lush Gjergji, ka thënë se lokalet është dashur të rrënohen kaherë.

Këta të fundit, tani kanë shfrytëzuar bodrumin e objektit dhe kanë ndërtuar një qendër të ashtuquajtur multimedia, të cilën pritet ta përurojnë në mes të prillit.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart