Liverpooli, klubi më i urryer në Premierligë


Gazeta Express
24 Maj 2019 9:14

Një studim jozyrtar ka zbuluar se Liverpooli e kryeson tabelën e klubet më të papëlqyera në Premierliga.

FanChants e ka një arkiv me mbi 26 mijë këngë që tifozët i këndojnë në stadiume. Përmes kësaj arkiv, ky uebsajt zbuloi se cili klub ka më së shumti këngë negative të dedikuara për të, transmeton Gazeta Express.

Tifozët kundërshtarë kanë shkruar mbi 50 këngë tallëse për Liverpoolin, më shumë se për cilido klub tjetër në kuadër të Premierligës.

Në këtë listë, Liverpooli ndiqet nga kundërshtari në finale të Ligës së Kampionëve, Tottenhami, për të cilin janë shkruar 42 këngë. Pastaj vijnë dy klubet e Mançesterit, Manchester City me 39 këngë kundër tyre dhe Manchester Unitedi me 34.

Nëse në këtë listë përfshihen edhe klubet që nuk garojnë në Premierligë, por në ligat e niveleve më të ulëta të futbollit në Angli, atëherë Leeds Unitedi është klubi më u urryer në Angli, pasi që kundër tyre janë shkruar 117 këngë.

Liverpooli e humbi mundësinë të shpallet kampion i Premierligës këtë sezon në ditën finale, mirëpo ata do të tentojnë ta përfundojnë sezonin me lajm të mirë, duke triumfuar në Ligën e Kampionëve.

Ndërsa, Leeds Unitedi kishte qenë shumë afër promovimit në Premierligë për sezonin e ardhshëm, mirëpo në gjysmëfinale të play-offs u mposht nga Derby County, që drejtohet nga Frank Lampard. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart