Lirimi i Janevës, Këshilli i Prokurorëve pret përgjigje nga Ruskoska


Gazeta Express
21 Nëntor 2019 17:50

Katica Janeva ka ofruar shumë të vogël parash për të dalë nga paraburgimi me garanci.

Vlera e banesave të fëmijëve të saj prej 160 mijë euro nuk kanë qenë të mjaftueshme për t’i bindur gjykatësit e Apelit që ish shefja e Speciales të dalë nga Shutka.

Edhe në Prokurorinë e lartë publike kur ka dhënë mendim negativ për ankesën e Janevës, e kanë theksuar pikërisht vlerën e pakët të pronës së patundshme.

Nga Gjykata e Apelit edhe sot thonë se gjatë vendimit të tyre të fundit janë plotësuar kushtet dhe pa garanci ajo është liruar nga qelia e Shutkës. Por, qëndrimi i këtillë i Apelit e nervozoi prokuroren Vilma Ruskovska e cila iu kërcënua gjykatësve se do i “shkund nga brekët”, shkruan Alsat.

Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska sot nuk deshi ta komentojë përmbajtjen e SMS porosisë me arsyetimin- se nuk komenton vendime të Gjykatës dhe Prokurorisë.

“Nga pozicioni i Ministrit të Drejtësisë nuk mund të komentoj vendimet gjyqësore dhe ato të prokurorisë, as deklaratat e prokurorëve” tha Renata Deskovska, ministre e Drejtësisë.

Por vetëm gjashtë ditë më parë, ministrja komentoi deklaratën e kryetarit të Gjykatës Penale i cili mbështeti shërbimin gjyqësor i cili kërkonte paga më të larta, përcjell Gazeta Express.

 “Unë sinqerisht pres që kryetari i Gjykatës Penale të dalë me një protestë me ndikim tek kolegët e tij shkurt dhe qartë pse disa gjykime nuk caktohen nga tre muaj. Pse vjetërsohen çështjet në gjykatën e tij?” tha Renata Deskovska, ministre e Drejtësisë.

Për porositë kërcënuese, Vilma Ruskovska do të duhet të japë shpjegim në Këshillin e Prokurorëve.

Shefja e Prokurorisë së Krimit të Organizuar deri nesër duhet të dërgojë një sqarim me shkrim për atë që ndodhi dhe pse ka reaguar në mënyrë të tillë ndaj gjykatësve të Apelit.

Nga Këshilli i Prokurorëve për Alsat thonë se që nesër mund të marrin vendim. Në ndërkohë, Katica Janeva tashmë dy ditë nga shtëpia e ndjek sherrin mes Apelit dhe Ruskovskës.

Te fundit


Kthehu lart