Liqeni misterioz i “perëndive”


Gazeta Express
8 Tetor 2019 2:07

I krijuar prej një erupsioni vullkanik rreth 2 mijë vjet më parë, liqeni misterioz i Japonisë Masho-ko, apo siç njihet shkurt Mashu, thuhet se është njëri prej më të kthjellëtëve në botën mbarë.

Ky liqe që reflekton si pasqyra shtrihet në parkun kombëtar Akan-Mashu të ishullit Hokkaido, në veri të Japonisë, dhe për popullin indigjen japonez, Ainu, konsiderohet të jetë i shenjtë, transmeton Koha Ditore shkrimin e BBC.

Për shkak se rrethohet nga një re e dendur mjegulle dhe ka murre rrethuese që shtrihen deri në 200 metra në thellësi të ujit, vizitat në brigjet e lumit Mashu janë të ndaluara në mënyrë rigoroze prej Ministrisë japoneze të Ambientit, krejt për shkaqe sigurie. Paqasshmëria në këtë liqe nuk lidhet vetëm me intrigat e shumta që tregohen rreth prejardhjes antike, por ka për qëllim edhe ruajtjen e ujërave të pa ndotura.

Në gjuhën e indigjenëve ainu, emri i liqenit është Kamuito, që do të thotë “liqeni i perëndive”. Dihet se banorët lokalë kanë udhëtuar sa më afër brigjeve të liqenit që kanë mundur në mënyrë që të gjejnë frymëzim gjatë kohërave të vështira.

Popullata ainu beson se një shpirt gruaje jeton përbrenda liqenit dhe sipas legjendës, çdo vizitor që i hedh një shikim sipërfaqes së gjerë të ujërave kristal të kaltra rrethuar me mjegull të këtij liqeni do të përjetojë të paktën një fat të zi: burrat nuk do të mundë të korrin sukses në karrierën e tyre për ca kohë, gratë nuk do të mundë të lindin fëmijë deri në një moshë më të shtyrë ose as të martohen në të ardhmen e afërt dhe mund edhe të ndahen nga partnerët aktualë me të cilët janë në lidhje.

Liqeni është i mbuluar me një petk mjegulle për më shumë se 100 ditë gjatë vitit, dhe me thellësinë që arrin deri në 212 metra, është më i thelli në të gjithë Japoninë. Meqë nuk ka të ndërtuar ndonjë infrastrukturë për qasje të drejtpërdrejtë në të, liqeni Mashu ka mbetur i pacenuar për më se një shekull, duke tërhequr, përkundër legjendave, me qindra vizitorë brenda vitit.

Te fundit


Kthehu lart