Lionel Messi: Pse ka vështirësi me Kombëtaren kapiteni i Argjentinës?


Gazeta Express
13 Qershor 2019 16:09

Ai ishte shumë i ri, kishte shumë turp dhe ishte shumë i veçantë.

Argjentina gjithmonë e ka ditur se Lionel Messi është xhevahir i rrallë, i cili duhet të trajtohet me kujdes ekstrem, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Por, 14 vjet debutimit me Kombëtaren e Argjentinës, “Albicelestes” ende nuk arritur ta marrin më të mirën nga ai. Dhe koha po mbaron.

Kur vjen puna te përfaqësimi i vendlindjes së vet, Messi, i cili së shpejti do t’i mbush 32 vjet, duket se ka ngecur në një përsëritje të vazhdueshme të së njëjtës ngjarje.

Çdo garë sjell pritshmëri të mëdha, çdo garë përfundon në zhgënjim të madh. Ai e mori në duar trofeun e Kupës së Botës U-20 në vitin 2005 dhe e fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike të Beijingut tri vjet më vonë, por kurrë nuk e ka festuar triumfin në ndonjë garë të madhe me ekipin e parë.

“Duhet të ngrihem dhe të provoj përsëri, s’ka rëndësi se sa herë rrëzohem. Ky është një mesazh i mirë për fëmijët, jo vetëm në futboll, por në jetë. Dua të pensionohem duke pasur diçka të fituar me Argjentinën”, tha Messi këtë muaj.

Me Kupën e Amerikës që do të fillojë këtë muaj në Brazil, kapiteni Messi e di se kjo do të jetë njëra ndër mundësitë e tij të fundit për të fituar një trofe të madh me Argjentinën. Disa ndër momentet e tij më të këqija në karrierë, Messi i ka përjetuar në rrugëtimin e kësaj gare.

Messi është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohëve i Argjentinës, me 67 gola, dhe nuk është larg të qenit lojtari me më së shumti paraqitje për Kombëtaren. Ai ka luajtur 130 herë, 17 më pak se Javier Mascherano, që tani është pensionuar.

Por, tetë garat e mëdha në të cilat ai ka luajtur për Argjentinën (katër Kupa të Botës dhe katër Kupa të Amerikës) kanë ngritur të njëjtën pyetje gjithmonë: pse ai nuk mund të jetë i njëjti lojtar të cilin argjentinasi e shijojnë çdo javë përmes televizorit në ndeshjen e Barcelonës?

Kanë ekzistuar gjithmonë dy versione të Messit. Në njërën anë është fituesi serik i formuar nga Pep Guardiola i cili ka shkëlqyer në njërën prej skuadrave më të mirë në botë, duke luajtur përkrah Andres Iniestas dhe Xavit që kur ishte fëmijë në akademinë e Barcelonës.

Në anën tjetër është outsajder në një ekip kombëtar që ka telashe me futbollistët me ego të madhe. Duke mos u ndierë rehat në këtë skuadër, argjentinasi i kaloi 16 ndeshjeve në mbi dy vjet pa e shënuar asnjë gol, mes vitit 2009 dhe 2011.

Çdo Kupë e Amerikës e sjell një krizë. Çdo Kupë e Botës sjell dyshime mbi të ardhmen e tij. I shkatërruar, i kritikuar, i heshtur, i stresuar dhe i lënë i vetëm – pikërisht atëherë kur argjentinasit menduan se e kanë thyer Messin, ai kthehet në Spanjë dhe menjëherë shërohet në mënyrë të mrekullueshme.

Barcelona është streha e tij e sigurt, ku shuhen dyshimet për të dhe lidershipit i tij kthehet i paprekur. Çdo rilindje magjike ngjalli vetëm më shumë kritika nga ana tjetër e oqeanit. Pse atje e jo këtu? Çfarë po bëjmë ne gabim? Për çfarë ka nevojë ai? Me çdo rilindje vijnë edhe më shumë pritje. Sa më të mëdha shpresat, aq më të mëdha kritikat. Përsëri dhe përsëri, cikli përsëritet.

Por tani, më në fund, ka një ndryshim freskues në këtë histori. Tani, Messi i thyer vjen nga Barcelona.

Humbja kundër Liverpoolit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve solli një largim tronditës nga gara për të dytin vit radhazi. Pastaj ishte humbja në finalen e Kupës së Mbretit kundër Valencias. Barcelona fitoi pa telashe në La Liga, por pritjet ishin më të mëdha dhe së fundi Messi dhe bashkëlojtari i tij Luis Suarez janë kritikuar që nuk janë liderë pozitivë brenda zhveshtores.

Çka nëse historia ka ndryshuar më në fund? Çka nëse Argjentina, më në fund, bëhet klinika shëruese e Messit?

Titulli i fundit i madh i Argjentinës ishte Kupa e Amerikës në vitin 1993. Që nga atëherë, ata kanë humbur në katër finale të Kupës së Amerikës (2004, 2007, 2015 dhe 2016) dhe finalen e Kupës së Botës (2014). Nga këto pesë, Messi luajti në katër. Pa e shënuar asnjë gol dhe me paraqitje të dobëta.

Prapa shpresave të Argjentinës për t’i dhënë fund ecurisë 26-vjeçare pa titull, aty ekziston një ndarje e thellë në komunitetin e tifozëve. Disa e shohin Messin si shpëtimtarin e tyre, disa të tjera janë duke pritur që ai të dështojë, kur ata presin ta kritikojnë Messin përsëri. Debati për kapitenin e Argjentinës i ka rritur edhe një hera tensionet mes këtyre dy grupeve.

Për gjeneratat më të reja, Messi është një zot, zoti i tyre. Për njerëzit më të vjetër, krahasimet me Diego Maradonan janë të paevitueshme – dhe Messi nuk do të jetë kurrë si Diego. Ai nuk do ta fitojë kurrë Kupën e Botës i vetëm, siç konsiderohet se kishte bërë Maradona në vitin 1986. Ndoshta edhe nëse Messi do ta bënte këtë gjë, nuk do të mjaftonte kurrë.

Që kur ai debutoi për ekipin kombëtar, Messi është akuzuar publikisht se ka qenë shumë vetjak, që nuk e ka kënduar himnin kombëtar, që nuk është shoqëruar me bashkëlojtarët e tij, që nuk i respektuar urdhrat e menaxherëve, që nuk i ka interesuar mjaftueshëm, që nuk ka shënuar mjaftueshëm, që nuk është dhjetësh i vërtetë, që nuk është nëntësh i vërtetë, që nuk e përballon presionin, që ndërhyn në zgjedhjen e skuadrës dhe që nuk i respekton planet për taktika. Ai filloi të kritikohet që kur ishte 27-vjeçar dhe ende po kritikohet si baba i tre fëmijëve.

Duket e çuditshme, duke pasur parasysh se ai e ka fituar Topin e Artë plot pesë herë, duke pasur parasysh të gjitha trofetë që i ka fituar, të gjitha arritjet e mrekullueshme me Barcelonën. Por, grupi anti-Messi në Argjentinë lulëzon pas çdo rezultati të keq apo paraqitjeje jobindëse.

Në kualifikimet për Botërorin e 2018-ës, ndikimi i Messit ishte në nivelin maksimal pasi që ai e shënoi het-trikun që në fund ai siguroi Argjentinës një vend në Rusi, në një fitore 3;1 kundër Ekuadorit në xhiron finale.

Por, Kupa e Botës nuk vazhdoi me të njëjtën histori. Ai e humbi penalltinë në ndeshjen kundër Islandës në ndeshjen hapëse të Argjentinës dhe pati paraqitjen nën standardin e tij gjatë ndeshjeve të tjera.

Pas disfatës 4:3 kundër Francës që bëri që Argjentina të eliminohet në fazën e 1/8 të finales, nuk ishte e qartë nëse Messi do të luante sërish në Kupën e Botës. Dukej se ai nuk do të luante më kurrë për kombëtaren e tij. Bashkëlojtarët Mascherano dhe Lucas Biglia e lanë ekipin kombëtar. Pastaj edhe Gonzalo Higuaini.

Pasi kishte pasur një revoltë të lojtarëve pas gabimeve në fazën e grupeve kundër Kroacisë, Federata e Futbollit e Argjentinës kërkoi ndryshime drastike. Zvogëlimi i ndikimit të Messit ishte pjesë e planit.

“Ne duhet të rifillojmë pa gjeneratën e vjetër”, kishte thënë zyrtari i AFA-së, Nicolas Russo, verën e kaluar.

“Nëse ne do të kishim fituar, të gjithë lojtarët do të kishin qenë këtu për të festuar. Por, ne humbëm dhe aeroplani po e dërgonte në shtëpi vetëm një lojtar. Kjo nuk është e pranueshme. Kapiteni, si kapiten, duhet t’ua sqarojë atë që ndodhi bashkëlojtarëve. Gjërat duhet të ndryshojnë”.

Ndryshimi i parë ishte shkarkimi i Jorge Sampaolit nga pozita e trajnerit në korrik. Lionel Scaloni u emërua në pozitën e tij.

***

La grieta. Në Argjentinë, kjo fjalë i sqaron pikëpamjet në kundërshtim me njëra-tjetrën për shoqërinë, të transmetuara nga dy liderët e vendit, presidenti Mauricio Macri dhe ish-presidentja Cristina Fernandez de Kirchner. Zgjedhjet do të mbahen në tetor.

E njëjta ndarje është prezente edhe në futboll. NË Argjentinë, nuk do të ketë kurrë marrëveshje për Messin.

Disa njerëz mendojnë se ai është një shpirt i turpshëm dhe i keqkuptuar, ndërsa tjerët e definojnë atë si një lider vetjak. Asnjëri prej tyre nuk do ta pranojnë kurrë se gjykimi i tyre mund të jetë i gabuar, por është e vështirë të kundërshtohet se Argjentina ka udhëtuar në Brazil me njërën prej skuadrave më të dobëta të skuadrës. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart