Limaj: Kosovës i duhen deputetë e ministra që i shërbejnë popullit, jo të tillë që i përkulen individit


Gazeta Express
3 Tetor 2019 21:14

Kandidati i koalicionit Nisma-AKR-PD për kryeministër, Fatmir Limaj duke kërkuar votën për koalicionin e tyre ka thënë sot se Kosovës nuk i duhen deputetë e as ministra që i përkulen individit, por i duhen të tillë që i shërbejnë popullit.

Në ditën e nëntë të fushatës zgjedhore, lideri i Nismës gjatë mbrëmjes së sotme në takimin me anëtarët dhe simpatizantët të lagjes “Kurilla” të Prizrenit, theksoi edhe një herë që nuk duhet të votohet me inate.

 “Ftesa ime është për banorët këtu, mos i këqyrni siglat, por njerëzit që i keni para vetës. Këta njerëz kanë me fol në parlament. Nuk do të flet as slogani, por njerëzit…Nëse Kosova vazhdon me votu me dy motive siç ka bërë deri më tash, ose me ta marrë votën përmes mashtrimit keni me pas deputetë mashtrues….nuk i duhet Kosovës as deputet e as ministër që i përkulet individit por i shërben popullit”, tha ai.

Limaj adresoi akuza edhe ndaj atyre, që sipas tij vetëm kanë përdorur fjalor fyes dhe kanë bërë me gisht. E kjo, për të është qasje e gabuar.

 “Çka ka pa hair Kosova me qasjet e tilla. Çka ka pa hair vendi ynë nga sharjet dhe bërjet me gisht. Këta njerëz që dinë vetëm me sha çka kanë bërë për vendin e tyre. Çka i kanë shërbyer vendit këta njerëz”, tha Limaj.

Limaj duke folur për kandidatët e Nismës për deputet tha se ata janë adekuat për të shtyrë përpara programin e partisë, pasi sipas tij nëse nuk ka njerëz me shty këto përpara ato mbesin vetëm si letra.

 “Kot janë programet që s’kanë njerëzit për të shtyrë përpara. Programet janë letra, e në letra ka shkronja e në shkronjat marrin shpirt kur ka njeri që i kryen ato punë. Munden me mbetë letra të bukura, por nëse nuk ka njerëz me shty këto përpara ato mbesin vetëm si të tilla”, tha ai.

Kandidati për kryeministër edhe në këtë tubim respektoi ezanin, gjë që u respektua nga të pranishmit.

Ndërsa, kryetari i degës së Nismës në Prizren, njëherësh kandidati për deputet, Zafir Berisha duke kërkuar votën për partinë e tij tha se vlerat e Nismës do të jetë perspektiva për qytetarët e Kosovës.

 “Unë po besoj që këta kandidatë për deputet që janë të pranishëm janë më mirë, jo vetëm që janëtonër. Por bartin vlera kombëtare dhe profesionale…Nisma po vjen, Nisma është në qeveri dhe vlerat e Nismëa do të jenë perspektiva për qytetarët e Kosovës dhe Kosovën si shtet”, tha Berisha.

Në këtë takim me banorët e lagjes, “Kurilla” të Prizrenit u kërkua që të votohet masivisht për kandidatët për deputet Nismës. Ndryshe, koalicioni Nisma-AKR-PD e përmbyll fushatën zgjedhore pikërisht në Prizren.

Te fundit


Kthehu lart