Limaj: Çështja e të pagjeturve nuk mjafton vetëm me identifikim


Gazeta Express
15 Maj 2019 15:46

Nuk mjafton vetëm zbardhja e fatit të pagjeturve, por duhen dënuar kryesit e krimeve

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, njëherësh bashkëkryesues i Delegacionit Shtetëror për Bisedime me Serbinë ka takuar Komisionin Qeveritar për persona të pagjetur, Shoqatat e të Pagjeturve dhe familjar të Pagjeturve.

Limaj më këtë rast ka thënë se Kosova po dëshmon përfundimisht, madje shumë seriozisht i është qasur kësaj çështjeje shumë të ndjeshme dhe të rëndësishme për vendin.

Limaj ka thënë se në platformën për Bisedime me Serbinë nga temat kryesore është çështja e të pagjeturve.

Ai i ka siguruar se nuk ka marrëveshje me Serbinë pa e pasur të qartë zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve.

Limaj i ka njoftuar se në takimin e delegacionit në Bruksel tema kryesore ka qenë çështja e të pagjeturve.

“Ju kemi bërë të qartë se Kosova nuk do të nënshkruaj asnjë marrëveshje me Serbinë nëse Brenda saj nuk është e saktësuar çështja e të pagjeturve. Serbia duhet ti hap gjithë arkivat shtetërore të ushtrisë, policisë e shërbimeve sekrete. Ne besojmë fort që shteti serb e dinë mirë  dhe i ka dosjet e informacionet e sakta për fatin e njerëzve tanë dhe ato duhet ja jep në dispozicion Kosovës dhe ata duhet marrin përgjegjësi”, ka thënë Limaj.

Më tutje, Limaj ka thënë se çështja e të pagjeturve nuk përfundon vetëm me identifikim, por pas kësaj shkon procesi i hetimit penal për të gjithë ato që kanë ndodhur në atë kohë.

“Çështja e të pagjeturve nuk përfundon vetëm me zbardhjen e fatit të tyre, por nënkupton kur merret përgjegjësia e mundshme penale për të gjithë ata që në një mënyrë apo tjetër kanë vendosur për fatin e atyre njerëzve. Na vjen keq që tash e 20 vite njerëzit tanë vuajnë e kanë trokitur dere në derë për fatin e njerëzve të afërt. Kjo temë po merr vëmendjen e vendit ku e meriton”, ka shtuar Limaj.

Bashkëkryesuesi i Delegacionit Shtetëror për Bisedime me Serbinë ka bërë me dije se brenda delegacionit është formuar një grup i posaçëm që do të merret me këtë temë.

Te fundit


Kthehu lart