Ligji për PSP-në duhet të avancohet përpara


load
Gazeta Express
27 Korrik 2019 11:09

Aktorët politikë nuk duhet të luajnë lojëra, por të bashkëpunojnë për shkak të së ardhmes së vendit. Është koha për të ecur përpara për të mirën e vendit, tha dje pas takimit me kreun e shtetit dhe opozitën ndihmësi i sekretarit të shtetit të SHBA për Europën dhe Euroazinë Filip Riker.

Riker vlerësoi se Maqedonia Veriore po ecën përpara në përmbushjen e qëllimeve shumë dekadëshe – të bëhet anëtare e NATO-s dhe të fillojë negociatat për anëtarësim në BE, por për këtë, si për qytetarët, është thelbësore, siç tha, të zgjidhet çështja e ligjit mbi prokurorinë publike.

Në këtë drejtim, diplomati i lartë i SHBA-së ishte i prerë. Ai pret, siç tha ai, konstruktivitet nga opozita dhe përfundimin e shpejtë të procesit, transmeton KOHA.

“Në takimin e sotëm me kryeministrin Zaev e nënvizuam rëndësinë e miratimit të ligjit për prokurorinë publike. Kemi bazë të mirë në propozimin dhe gëzohem për votimin e tij. Shpresoj se ky proces do të përfundojë shpejtë së bashku me opozitën. Shpresoj se opozita, jo vetëm këtu por edhe në vendet tjera do të jetë vitale për ardhmërinë e tyre. Ky është një moment i shkëlqyer që të gjithë të bashkohen dhe ta përfundojnë procesin”, tha Riker në pres konferencën e përbashkët me kryeministrin Zoran Zaev. Koha për të bërë gjeste të mëdha, si dhe për lojëra me perspektivat e qytetarëve, shtoi Riker, tashmë është e kaluar.

“Mesazhi im është i qartë. Është koha për të lëvizur gjërat për të mirën e vendit. Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të punojnë me të gjitha partitë politike në Maqedoninë Veriore, por për të bërë këtë, siç tha edhe presidenti Donald Tramp dhe Sekretari i Shtetit Majk Pompeo, duhet të shohim përpjekje të arsyeshme dhe ligji për PSP-në duhet të lëvizë përpara. Miratimi i tij, nënkupton se kjo nuk do të jetë më një çështje dhe BE-ja do të jetë në gjendje të hapë bisedimet e pranimit në vjeshtë. Për këtë ka mbështetje të fortë nga aleatët në BE. Kjo është arsyeja pse unë e inkurajoj opozitën të lëvizë në mënyrë që të ketë një të ardhme edhe më të ndritshme”, nënvizoi Riker.

Këtë mesazh u.d ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-së ia dha drejtpërdrejt edhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit.

“Kishim bisedë të sinqertë dhe të hapur me liderin e VMRO-DPMNE-së opozitare dhe me përfaqësues të partisë, ku i përsërita porositë e njëjta si dhe në mëngjes. Shpresoj në hap pozitiv kur bëhet fjalë për sundimin e së drejtës, PSP-së dhe dhe për Prokurorinë publike, pasi kjo shumë me rëndësi për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut”, deklaroi ushtruesi i detyrës ndihmës sekretar shtetëror i SHBA-së, Filip Riker pas takimit njëorësh me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, të mbajtur në selinë e partisë.

Nga VMRO-DPMNE-ja shkurtimisht njoftuan se Mickoski Rikerit ia elaboroi ligjin për prokurori që propozon partia.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, paraprakisht në pres konferencë, njoftoi se zgjidhja ligjore për Prokurorinë publike bazohet në “themelet e vërteta dhe luftës së pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit”. Ai tha se VMRO-DPMNE-ja ka qasje konstruktive. Duhet të parashtrohet pyetja nëse Qeveria është konstruktive. Propozimi i VMRO-DPMNE-së është që të gjithë prokurorët sipas ligjit për PSP të kthehen në prokuroritë amë pas përfundimit të mandatit, ndërsa që të gjitha lëndët deri më 30.06 2017, në vend që të merren nga prokuroria e re, të merren nga prokurori shtetëror publik dhe “të dërgohen atje ku këto vepra përkasin”. VMRO-DPMNE-ja propozon edhe pavarësi financiare të të gjithë prokurorisë shtetërore.

Kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi se këtë fundjavë do t’i shqyrtojë propozimet për fatin e PSP-së që sot e propozoi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski duke theksuar se ia vlen që të mendohet.

“Ne duam që ta sigurojmë sistemin e prokurorisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut sepse një pjesë e mirë e kësaj është legjislativi ynë duke siguruar në këtë mënyrë edhe anëtarësimin tonë të ardhshëm në BE përmes Samitit të tetorit”, tha Zaev.

Ai nënvizoi se të gjitha propozimet do të vendosen në tavolinë me qëllim që me kohë të sillet një vendim konsensual ligjor për fatin e PSP-së.

“E rëndësishme është të sigurohet e ardhmja e lëndëve dhe e PSP-së, të mos kihet ndikim nga ana e politikanëve në sistemin juridik”, thotë Zaev.

Zaev theksoi se fati i PSP-së dhe tregimi i kujdesit për drejtësinë në vendin tonë është prioriteti më i larë i qytetarëve. Në këtë kontekst, Zaev, po ashtu dhe Reeker, apeluan për përgjegjësi politike. Nëse ligji mbi prokurorinë nuk miratohet deri më 15 shtator, shteti, paralajmëroi do të jetë në një gjendje të vështirë për të gjetur mënyra të padëshiruara për të vazhduar punën PSP-ja.

Dje, Grupi i Propozimit për Reformat Gjyqësore, Bluprint, deklaroi se zgjidhja e fundit ligjore për prokurorinë publike u mor me nxitim pa konsultimin e tyre dhe marrëveshjen e tyre vetëm midis partive. “Alternativa”, nga ana tjetër, e sugjeron Fatime Fetain që ta drejtojë zyrën e re të prokurorisë për krimin e organizuar.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart