Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit e detyron të dorëhiqet kryetarin e Rahovecit


Gazeta Express
22 Korrik 2019 15:38

Fillimi i zbatimit të Ligjit të ri për Parandalimin e Konfliktit të Interesit i ka sjell frytet e para, shkruan Gazeta Express.

Në fakt, kryetari i deritashëm i klubit të basketbollit Rahoveci, Bekim Hoxha ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij e deritashme.

Përmes një njoftimi në Facebook, Hoxha, me të cilin “Vreshtarët” u bënë një prej fuqive të basketbollit kosovar, ka njoftuar për vendimin e tij, të cilin edhe e ka arsyetuar:

“Të nderuar, anëtarë të Bordit, Të nderuar, anëtarë të Kuvendit të KB. Rahovecit, Të nderuar ‘Vreshtarë’ si dhe të gjithë ju, qytetarë të Rahovecit. Me keqardhje më duhet të ju njoftoj, se më duhet të dorëhiqem nga pozita e Kryetarit të Klubit të Basketbollit ‘’Rahoveci’’. Këtë vendim e kam ndërmarrë për shkak të rrethanave të krijuara nga hyrja në fuqi e Ligjit të ri për Parandalimin e Konflikimit të Interesit, ku Neni 14 i këtij ligji decidivisht pamundëson që një person të mbaj njëkohësisht pozitën e zyrtarit publik dhe atë të Kryetarit të Klubit, meqë klubi është i regjistruar si Organizatë Joqeveritare, edhe pse paraprakisht dispozitat e ligjit të vjetër ma kanë mundësuar ushtrimin e pozitës së zyrtarit të lartë publik dhe të Kryetarit të Klubit, njëkohësisht.

Andaj, duke u bazuar nga këto kufizime të reja ligjore, jam i detyruar që të ofroj dorëheqjen nga pozita e Kryetarit të cilin e ushtroj qysh nga rithemelimi i KB Rahovecit me datën 29.03.2014, meqë unë jam i përkushtuar dhe i vendosur që të vazhdoj t’a mbaj pozitën e zyrtarit publik në institucionin ku kam ndërtuar karrierë profesionale solide që nga fillimi.

Si ish-basketbollist i KB Rahovecit që nga viti 1995, pastaj menjëherë pas luftës edhe si anëtar i bordit, sekretar i klubit dhe i shumë angazhimeve e pozitave tjera përbrenda Klubit, për mua, ka qenë nder i veçantë jetësor mundësia për të kontribuar dhe për t’i shërbyer këtij klubi.

Gjatë gjithë kësaj kohe, KB. Rahoveci ka arritur rezultate të jashtëzakonshme, ku për dy vite që nga rithemelimi, kemi arritur që me disiplinë, punë maksimale dhe me organizim të mirëfilltë të inkuadrohemi në Supërligë.

Kulminacioni i sukseseve nuk ka mbaruar vetëm me hyrjen në superligën e Kosovës , pasi që ne menjëherë në vitin e dytë arritëm në gjysmfinalen e Kupës së Kosovës, duke mos u ndalur dhe në edicionin 2018/2019, ku në cilësinë e organizatorit të turneut të Kupës së Kosovës, arritëm edhe finalen historike, si dhe e përmbyllëm këtë epokë të sukseseve, me edicionin e fundit, ku luajtëm finalen e play-off-it , duke u shpallur nënkampion i Republikës së Kosovës.

E tëra kjo punë, ky angazhim e këto suksese, janë arritur më një bashkëpunim fantastik të të gjithë anëtarëve të bordit . Qëllimishëm, i theksova të gjitha këto rezultate edhe pse i tërë opinioni publik janë dëshmitarë të këtij progresi të jashtëzakonshëm sportiv e organizativ.

Konform interpretimeve dhë mundësive ligjore të cilat do t’i kërkoj nga institucionet kompetente, unë do të vazhdoj të jem afër klubit që edhe më fuqishëm të punojmë, pasi siç jeni të informuar, KB. Rahoveci këtë sezonë do të garoj në katër fronte elitare, FIBA EUROPA CUP, Ballkan Liga, Super liga e Kosovës si dhe trofeu i Kupës së Kosovës.

Në fund, një falënderim të veçantë ja dedikoj edhe njëherë Bordit të klubit për bashkëpunim të jashtëzakonshëm, sponsorëve , ish- Kryetarit të Komunës së Rahovecit, z. Idriz Vehapi, Kryetarit të Komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi, Federatës së Basketbollit si dhe natyrisht, një falendërim të madh edhe tifozëve më të mirë në Kosovë edhe më gjërë, VRESHTARËVE! Me respekt, Bekim Hoxha”, ka shkruar kryetari i deritashëm i klubit. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart