Vazhdon spektakli në Champions: Vëmendja në Madrid - Gazeta Express
string(49) "vazhdon-spektakli-ne-champions-vemendja-ne-madrid"

Vazhdon spektakli në Champions: Vëmendja në Madrid

Gazeta Express

26/02/2020 10:44

Ndeshjet e fundit të xhiros së parë të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve do të zhvillohen të mërkurën në mbrëmje. Sonte na presin dy ndeshje interesante – Real Madridi kundër Manchester Cityt dhe Lyoni kundër Juventusit.

Pas përballjeve të së martës – Barcelona mori barazim 1:1 kundër Napolit në San Paolo, ndërsa Bayerni e mposhti Chelsean me rezultat 3:0 në Stamford Bridge – Liga e Kampionëve i sjell edhe dy ndeshje të tjera interesante të mërkurën, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Real Madrid vs Manchester City

Një superndeshje pritet të zhvillohet në Madrid të mërkurën, pasi që Pep Guardiola do të përballet me rivalët e vjetër, duke qenë i vetëdijshëm se kjo mund të jetë mundësia e tij e fundit për ta fituar Ligën e Kampionëve me Manchester Cityn.

Edhe po të mos ishte dënuar Manchester City me pezullim nga garat evropiane në dy vjetët e ardhshme, eliminimi i Real Madridit në rrugën drejt trofeut të Ligës së Kampionëve e bën më të ëmbël fitoren për ish-trajnerin e Barcelonës e tani në Manchester City. Guardiola do të ketë më shumë gjasa ta arrijë këtë synim nëse Raheem Sterling do të jetë në dispozicion ashtu siç pritet.

Real Madridi pësoi disfatë befasuese me rezultat 1:0 në ndeshjen e xhiros së fundit, kundër Levantes, pas barazimit kundër Celta Vigos. Këto rezultate kanë bërë që skuadra e Zinedine Zidane ta humbë pozitën e parë në tabelën e La Ligës, ku tani radhitet Barcelona.

Kjo bën që Real Madridi të mos niset për në ndeshjen e sotshme në Santiago Bernabeu me formën më të mirë të mundshme dhe kjo është shqetësuese për tifozët e Real Madridit, veçanërisht shkaku i lojtarëve cilësorë në skuadrën e Manchester Cityt. Por, Real Madridi e ka dëshmuar disa herë se lojtarët e vet e ngrenë nivelin kur vjen fjala për ndeshjet e Ligës së Kampionëve, trofeun e së cilës madrilenët e kanë fituar 13 herë në histori.

Eden Hazardi është humbje e madhe për skuadrën e Zidane për këtë ndeshje, kështu që përkundër që Real Madridi e ka një rekord mbresëlënës për ndeshjet e zhvilluara në shtëpi, Manchester City do të vijë me shpresën për t’i dëshpëruar tifozët vendas.

Statistikat më interesante:

– Manchester City nuk ka fituar asnjëherë kundër Real Madridit – ata janë përballur gjithsej katër herë, të gjitha në Ligën e Kampionëve. Manchester City i ka humbur dy ndeshjet e zhvilluara si mysafir, ndërsa i ka barazuar ato si vendas.

– Real Madridi është treguar i suksesshëm në katër ndeshjet e fundit kundër klubeve angleze në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve: fitore me rezultat të përgjithshëm 5:0 kundër Tottenhamit në çerekfinalet e sezonit 2020/11; fitore me rezultat të përgjithshëm 3:2 kundër Manchester Unitedit në 1/8 e finales të sezonit 2012/13; fitore me rezultat të përgjithshëm 1:0 kundër Manchester Cityt në gjysmëfinalet e sezonit 2015/16; dhe fitore me rezultat 3:1 kundër Liverpoolit në finalen e sezonit 2017/18.

– Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, po përballet me Real Madridin në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve për herë të tretë me klubin e tretë të ndryshëm – ai kishte fituar me rezultat të përgjithshëm 3:1 me Barcelonën në gjysmëfinalet e sezonit 2010/11, ndërsa kishte humbur me rezultat të përgjithshëm 5:0 me Bayernin në gjysmëfinalet e sezonit 2013/14.

Lyon vs Juventus

Bastoret sportive nuk u japin shumë shpresë për këtë ndeshje vendasve francezë, për shkak të nivelit të Juventusit, që e ëndërron që disa vite titullin e Ligës së Kampionëve, dhe formës së mirë të Cristiano Ronaldo.

Ronaldo ka shënuar gol në 11 ndeshjet e fundit të Serisë A dhe, përderisa Lyoni do ta bëjë më të mirën e vet për ta marrë një rezultat pozitiv para ndeshjes kthyese në Itali, Juventusi shihet si favorit për të kaluar në fazën çerekfinale. /Gazeta Express/