Shkruan: Vjosa Shkodra
Kosova ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt reformimit të procedurës së falimentimit me miratimin e Ligjit të ri të Falimentimit, që synon përmirësimin e kornizës ligjore dhe të procedurave për trajtimin e rasteve të falimentimit. Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), procedurat efikase të falimentimit janë një kusht i rëndësishëm për lehtësimin e daljes dhe ri-hyrjes së bizneseve në treg. Rrjedhimisht, një kornizë ligjore e institucionale e konsoliduar e falimentimit ju mundëson bizneseve dalje të rregulluar nga tregu apo ristrukturim eventual.
Ligji i ri i falimentimit në Kosovë, ka si qëllim të rrisë transparencën, efikasitetin dhe sigurinë për të gjitha palët e përfshira në proceset ligjore, duke u fokusuar në disa ndryshime kyçe që transformojnë mënyrën se si trajtohen këto raste në Kosovë.
Një nga ndryshimet më të mëdha është ndryshimi i kërkesës për numrin e kreditorëve që mund të inicojnë procedurën e falimentimit. Ndryshe nga rregullat e mëparshme, ku ishte e nevojshme që dy ose më shumë kreditorë të inicionin falimentimin e një kompanie, tani ligji i ri jep të drejtën që edhe një kreditor i vetëm të mund të iniciojë këtë proces, për sa kohë që borxhi i papaguar është të paktën 30,000 euro. Ky ndryshim synon të heqë pengesat që kufizonin numrin e rasteve të falimentimit, duke e bërë procesin më të lehtë dhe më efektiv.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i këtij ligji është përmirësimi i rregullave për shitjen e aseteve në rastet e likuidimit. Sipas ligjit të ri, shitjet do të kryhen përmes ankandeve publike, duke maksimizuar vlerën e aseteve dhe duke garantuar transparencë më të lartë. Kjo masë përmirëson mbrojtjen e kreditorëve dhe llogaridhënien në menaxhimin e pasurive të falimentuara.
Janë harmonizuar juridiksionet gjyqësore në përputhje me Ligjin për Gjykatën Komerciale, duke krijuar një ndarje më të qartë të kompetencave për trajtimin e rasteve të falimentimit, veçanërisht në lidhje me kreditorët e siguruar. Këto dispozita të reja sigurojnë një proces më të efektshëm për përdorimin e kolateralit dhe kompensimin e kreditorëve në rast të vonesave në realizimin e aseteve nga administratorët e falimentimit. Për herë të parë, ligji parashikon themelimin e Odës së Administratorëve të Falimentimit, një institucion i ri që do të qeverisë veprimtarinë e administratorëve falimentues, dhe mbikqyret nga Ministria e Drejtësisë. Oda do të jetë përgjegjëse për organizimin dhe licencimin e administratorëve, ndërsa ligji përcakton qartë rregullat për mbikëqyrjen e tyre, përfshirë këtu edhe procedurat disiplinore dhe tarifat për shërbimet e ofruara. Me këto masa, synohet të rritet transparenca, llogaridhënia dhe profesionalizmi në menaxhimin e procedurave të falimentimit.
Për herë të parë, ligji përfshin një dispozitë të qartë për rastet kur debitori vdes gjatë procesit të falimentimit. Trashëgimtarët tani trashëgojnë detyrimet dhe të drejtat sipas Ligjit të Trashëgimisë, duke sjellë qartësi në trajtimin e këtyre rasteve dhe duke shmangur paqartësitë e mëparshme.
Në fund, ligji specifikon dokumentacionin e nevojshëm për hapjen e rasteve të falimentimit nga debitorët dhe parashikon mundësinë që, nëse pasuria e falimentuar nuk mbulon shpenzimet administrative, debitori të depozitojë një shumë të caktuar për të siguruar kontinuitetin e procedurave. Ky rregullim synon të eliminojë vonesat e panevojshme dhe të përmirësojë efikasitetin në praktikë.
Për të zbatuar në mënyrë efikase këtë ligj, pritet miratimi i disa akteve nënligjore, duke përfshirë udhëzimet administrative për procedurën disciplinore, si dhe mënyrat e raportimit të administratorëve si dhe tarifat e administratorëve
Me këto ndryshime, Kosova synon të forcojë besimin dhe funksionimin e drejtësisë në çështjet e falimentimit, duke përfituar nga një kornizë ligjore më e qartë dhe efektive për të gjithë pjesëmarrësit
Autorja është avokate, partnere menaxhuese e Lex Business.