Dy muaj pas hedhjes së shortit në Nyon të Zvicrës, 32 skuadrat e mbetura fillojnë rrugëtimin e tyre drejt finales së madhe të edicionit të 11-të të Europa League-s (dhe të 49-it gjithsej në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm në Kontinentin e Vjetër). Bëhet fjalë për fazën më të bukur të këtij aktiviteti, pra për përballjet e mëdha me eliminim të drejtpërdrejtë. Në edicionin e sivjetshëm janë plot 18 shtete të ndryshme që janë të përfaqësuar në sfidat e “knock out”-it.
Ndeshjet e fazës së 1/16 fillojnë këtë të enjte, ndërkaq sfidat e kthimit do të luhen menjëherë pas një jave. Spikat Portugalia, me katër skuadrat më të mira të kampionatit luzitan, ndërsa Anglia, Spanja dhe Gjermania do të vazhdojnë aventurën e mëtejshme me nga tri ekipe. Bën përshtypje mungesa e shteteve si Franca dhe Rusia, që pozicionohen respektivisht në vendet 5 dhe 7 të renditjes kontinentale në bazë të koeficientit, sidoqoftë pjesa e mbetur deri në finalen e madhe të 27 majit, që do të mbahet në Poloni në “Stadion Energa të Gdanskut” pritet të jetë vërtet elektrizuese, duke marrë në konsideratë emrat e mëdhenj që do të rivalizojnë nga muaji shkurt e deri në fund, për fitimin e trofeut më të rëndësishëm pas Champions League-s.
Kur u hodh shorti në mesin e muajit dhjetor favorit konsiderohej klubi i Manchester United, ndërsa tani gjërat kanë ndryshuar dhe bookmakers-at renditin të parin ekipin e Interit. “Djajtë e kuq”, që e ngritën këtë trofe në vitin 2017 nën drejtimin e trajnerit Jose Mourinho, tani kanë nevojë për ta fituar sërish, duke patur parasysh pozitat e tyre për momentin si dhe luhatjet e tmerrshme në Premiership, sepse siç dihet, ekipi që triumfon në Europa League shkon automatikisht në fazën e grupeve në Champions, e duke lënë mënjanë zikaltrit e Interit, Sevilla, United dhe Arsenali do të bëjnë çmos që të përfitojnë nga ky rregull, pasi renditja aktuale në kampionatet respektive nuk iu a garanton aspak diçka të tillë.
United do të matë forcat në Belgjikë në orën 18:55 me Club Brugge-n, një përballje që është regjistruar në verën e vitit 2015, në fazën “play off” në Champions, kur “Red Devils”, nën drejtimin e veteranit holandez, Louis van Gaal, shkatërruan bluzinjtë me rezultatin e përgjithshëm 7-1. Për momentin Club Brugge kryeson kampionatin belg me 9 pikë më tepër se sa Genti, ndërsa United, në krahun tjetër, pavarësisht suksesit tepër të diskutueshëm brenda në Londër ndaj bluve të Chelsea-t, përsëri pozicionohet vetëm në vendin e shtatë në kampionatin anglez, me 38 pikë të grumbulluara pas 26 ndeshjeve në Premiership.
Për herë të pare, që nga janari i vitit 2018, United numëron 4 takime pa pësuar gol, ndërsa në krahun tjetër Club Brugge, ku luan edhe ish-portieri i Liverpoolit Mignolet, paraqitet në këtë duel pas plot 12 ndeshjeve pa humbje në të gjithë kompeticionet.
Po në orën 18:55 do të luhet edhe takimi Ludogorets -Inter. Pas eliminimit të dhimbshëm në Champions, zikaltrit u përkëdhelën nga shorti dhe ekipi i drejtuar nga trajneri Antonio Conte do të përballet për herë të parë në histori me një kundërshtar të tillë, për më tepër ky është klubi i vetëm bullgar që ka mbetur në Kupat e Evropës.
Ndeshja do të luhet në Razgrad dhe ekipi vendas kryeson i shkëputur kampionatin bullgar, ndryshe nga Interi që jo vetëm ka lëshuar kreun, por tashmë renditet në vendin e tretë në Serie A.
Një ndër sfidat më të forta luhet në Spanjë, në rrethinat e Madridit, në Stadiumin Coliseum Alfonso Perez, ku po në të njëjtën orë do të zhvillohet takimi Getafe – Ajax. Klubi nga Amsterdami, që u eliminua në mënyrë shumë të pafat nga Championsi, vazhdon të dominojë në Eredivisie, ndërsa Getafe, në krahun tjetër po bën shumë mirë në Primera Division, teksa klasifikohet në vendin e tretë, duke mbajtur poshtë për momentin në renditje klube si Atletico, Sevilla, Villarreal, Valencia, Sociedad apo Bilbao. Në mbrëmje, interes ngjall dueli Porto – Bayer Leverkusen, ndërmjet dy skuadrave që kanë ardhur pikërisht nga Champions League, ndërsa në Greqi Olimpiakosi pret në Pire ekipin e Arsenalit, që në Stadiumin Georgios Karaiskakis ka humbur 3 nga 4 përballjet ndërmjet tyre.
Po në orën 21:00 verdhekuqtë e Romës do të bëjnë çmos të largojnë krizën, ndaj një ekipi si Genti, që për momentin renditet në vendin e dytë në kampionatin belg, por që u eliminua me rezultatin e përgjithshëm 10-2 në sfidat vajtje-ardhje ndërmjet dy klubeve, në duelin për raundin e tretë kualifikues, të zhvilluar 11 sezone më parë po në Europa League.
Ora 18:55
CFR Cluj-Sevilla
Club Brugge KV-Manchester Utd
Eintracht Frankfurt-Salzburg
FC Copenhagen-Celtic
Getafe-Ajax
Ludogorets-Inter
Shakhtar Donetsk-Benfica
Sporting-Basaksehir
Ora 21:00
APOEL-Basel
AS Roma-Gent
AZ Alkmaar-LASK
Bayer Leverkusen-FC Porto
Olympiacos Piraeus-Arsenal
Rangers-Braga
Wolfsburg-Malmo FF
Wolves-Espanyol