Liga e Evropës: Kundërshtarët e mundshëm të Feronikelit në rrethin e tretë


Gazeta Express
22 Korrik 2019 14:11

Kampioni i Kosovës Feronikeli ka mësuar sot se nëse e eliminon Slovan Bratislavën në rundin e dytë në Ligën e Evropës, atëherë do të përballet me Dundalkun ose me Qarabagun në rrethin tjetër kualifikues.  

Nikli do të ballafaqohet me Slovan Bratislava në rrethin e dytë kualifikues për garën dytësore evropiane, Ligën e Evropës, në Sllovaki më 25 korrik dhe pastaj në ndeshjen e kthimit në Prishtinë më 1 gusht, raporton Gazeta Express.

Në rast se Nikli e eliminon Bratislavën dhe kalon në rundin e tretë, atëherë do të përballet me fituesin e duelit mes klubit nga Irlanda Dundalk dhe atij nga Azerbajxhani, Qarabag, sipas shortit të hedhur sot nga UEFA.

Ndeshjet e rundit të tretë zhvillohen më 8 dhe 15 gusht.  

Klubit nga Drenasi iu shua ëndrra për ta vazhduar luftën në mënyrë që ta sigurojë një vend në fazën grupore të Ligës së Kampionëve javë më parë, pasi u mund në Prishtinë nga klubi uellsian The New Saint.

Fitues i dyfishtë në Kosovë, ligës dhe kupës, Feronikeli ishte afër kalimit në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve pas një barazimi dramatik me rikthim (2:2) në Uells, por u mposht 1:0 në stadiumin Fadil Vokrri përkundër se ishte skuadër dominuese dhe krijoi më shumë.

Nikli u bë skuadra e dytë kosovare që arrin kaq larg në kualifikime për këtë garë, pas Dritës, por e lëshoi mundësinë për t’u bërë e para në histori të futbollit kosovar që e arrin të paktën rundin e dytë kualifikues.

Dosido, klubi nga Drenasi tani do ta vazhdojë rrugën për ta siguruar kualifikimin në një garë evropiane, Ligën e Evropës, garën e dytë për nga rëndësia. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart