Lidhja e Çekisë me Serbinë mund t’ia dhurojë Kosovës kualifikimin në EURO


Gazeta Express
14 Nëntor 2019 10:18

Mediumi çek, Idnes.cz, ka theksuar se lidhja mes Çekisë dhe Serbisë mund t’i kushtojë me pikë çekëve në kualifikimet për Evropian dhe rrjedhimisht t’ia sigurojë Kosovës një vend në EURO 2020.

Çekia e pret sonte Kombëtaren e Kosovës në stadiumin Doosan Arena, në Pilsen, në orën 20:45 për ndeshjen e parafundit në kuadër të Grupit A kualifikues për EURO 2020, shkruan Gazeta Express.

Me fitore në këtë përballje, Çekia e siguron një vend në EURO 2020, ndërsa Kosovës i bëhet e pamundur ta arrijë Evropianin përmes Grupit A. Megjithatë, çekët frikësohen se ndonjë thirrje politike e tifozëve çekë kundër Kosovës mund të bëjë që UEFA t’i ndëshkojë ata me pikë në Grupin A, ose t’ia regjistrojë si humbje ndeshjen e sotshme kundër Kosovës, pavarësisht rezultatit përfundimtar.

“Ndeshja mes Republikës Çeke dhe Kosovës, që është vendimtare për kualifikimin në Kampionatin Evropian, do të mbikëqyret nga shërbimi sekret. Disa tifozë kishin brohoritur “Kosova është Serbi” në ndeshje të tjera dhe kjo jo vetëm që mund t’i bezdisë lojtarët dhe tifozët kosovarë, por mund të çojë te ndëshkime nga UEFA, si me rezultatin e ndeshjes”, shkruan Idnes.

Frika se mund të ketë thirrje politike në ndeshjen e sotshme e ka kapluar edhe kryetarin e Federatës së Futbollit të Çekisë, Martin Malikin.

“Do të doja t’u kërkoja të gjithë tifozëve të futbollit në Republikën Çeke të mos bëjmë thirrje apo veprime politike, ose pankarta në lidhje me Kosovën. Unë besoj që gjëja e fundit që e duam është të na hiqen pikë nga UEFA në Grupin A, që do të na kushtonte me kualifikim në EURO”, tha Malik.

Para dy vjetëve, kur Sparta Prague kishte luajtur në një ndeshje kualifikuese për Ligën e Evropës kundër Crvena Zvezdës, tifozët çekë dhe ata serbë ishin bashkuar kundër Kosovës. Kur serbët brohorisnin “Kosova”, në anën tjetër të stadiumit çekët përgjigjeshin “është Serbi”, ndërsa një pjesë e të pranishmëve në stadium duartrokiste.

Këtë shtator, kur Republika Çeke luajti në Prishtinë të Kosovës, policia i arrestoi tetë qytetas çekë – gjashtë burra dhe dy gra – para ndeshjes. Policia e kishte gjetur një dron, një flamur serb dhe një pankarta të madhe ku shkruhej “Kosova është Serbi”.

Në tentim për të shmangur situata të tilla në ndeshjen e së enjtes në Pilsen, Federata çeke ka vendosur që t’iu shesë bileta vetëm tifozëve që kanë nënshtetësi çeke. Tifozët do të duhet të kenë ndonjë mjet identifikimi kur të hyjnë në stadium. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart