Liderët e Libanit ishin njoftuar në korrik për nitratin në portin e Bejrutit - Gazeta Express
string(76) "lideret-e-libanit-ishin-njoftuar-ne-korrik-per-nitratin-ne-portin-e-bejrutit"

Liderët e Libanit ishin njoftuar në korrik për nitratin në portin e Bejrutit

Gazeta Express

11/08/2020 8:33

Sipas disa dokumenteve që i ka parë agjencia Reuters, zyrtarët e sigurisë në Liban i paralajmëruan kryeministrin dhe presidentin e këtij vendi muajin e kaluar se 2,750 tonë nitrat të amonit në portin e Bejrutit paraqesin rrezik për sigurinë dhe mund ta shkatërrojnë kryeqytetin, nëse kjo sasi do të shpërthente.

Pak më shumë se dy javë pas këtij paralajmërimi, kjo sasi e madhe e substancës kimike shpërtheu dhe la të vdekur rreth 200 persona, lëndoi 6 mijë të tjerë dhe shkatërroi rreth 6 mijë ndërtesa, sipas të dhënave të autoriteteve komunale.

Lexo Edhe:

Raporti i Drejtorisë së Përgjithshme për Siguri Shtetërore rreth ngjarjeve që dërguan në shpërthimin e fuqishëm përfshiu një referencë ndaj një letre private dërguar presidentit Michel Aoun dhe kryeministrit Hassan Diab më 20 korrik.

Ndonëse përmbajtja e kësaj letre nuk është parë nga agjencia e lajmeve, një zyrtar i lartë i sigurisë tha se aty janë përmbledhur gjetjet e një hetimi të nisur në janar, ku u arrit në përfundim se substance kimike duhet të sigurohet menjëherë, transmeton Gazeta Express.

“Ekzistonte rreziku që ky material, nëse do të vidhej, do të mund të përdorej në një sulm terrorist”, tha ky zyrtar.

“Në fund të hetimit, prokurori i përgjithshëm, Ghassan Oweidat, përgatiti një raport final, i cili iu dërgua autoriteteve”, shtoi ai, duke iu referuar letrës dërguar kryeministrit dhe presidentit.

“I paralajmërova se kjo do të mund ta shkatërronte Bejrutin, nëse do të shpërthente”, tha zyrtari që ishte i përfshirë në shkrimin e kësaj letre, por që kërkoi të mbetej anonim.

Zyra e Kryeministrit dhe Presidenca e Libanit refuzuan t’i përgjigjen kërkesës për koment në lidhje me letrën e 20 korrikut. Përgjigje nuk dha as prokurori i përgjithshëm.