Liderët e burgosur katalanas kërkojnë paqe në protesta pas dy ditëve të dhunës


Gazeta Express
16 Tetor 2019 23:05

Nëntë liderët katalanas, të burgosur këtë javë për rolin e tyre në organizimin e referendumit të dështuar për pavarësi dy vite më parë, kanë apeluar që të ketë protesta paqësore pas dy netëve radhazi të protestave të dhunshme.

Kjo thirrje e tyre vjen pasi që qeveria spanjolle paralajmëroi se protestat e dhunshme do të shtypen. Këto ditë ka pasur shumë arrestime si pasojë e kësaj.

“Mbështesim mobilizmin e marshimeve masive dhe paqësore”, ka shkruar  ish zëvendëspresidenti Oriol Junqueras së bashku me dy liderët me ndikim të referendumit, Jordi Sanchez dhe Jordi Cuixart.

“Dhuna nuk na përfaqëson neve”, shtojnë ata.

Protestat e së martës në Barcelonë kanë shpërthyer në beteja me policinë. Protestuesit ndozën zjarre dhe ndërtuan barikada në qendrën e qytetit para se të shpërndaheshin me dhunë nga policia katalonjase dhe spanjolle. Skena të ngjshme janë parë në qytetet tjera të Katalonisë si Tarragona, Girona dhe Lleida. Dhjetëra njerëz janë lënduar si pasojë.

Qeveria spanjolle thotë se 51 persona janë arrestuar në gjithë Kataloninë si pasojë e protestave ndërsa 54 oficerë nga forcat e policisë rajonale dhe 18 nga forcat nacionale janë lënduar. /Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart