Lehtësohen kriteret për përkrahje financiare të investitorëve të huaj dhe vendas


Gazeta Express
12 Korrik 2019 10:44

Më shumë se 4 mijë kompani vendase dhe të huaja të cilat kanë investuar në Maqedoni do të marrin ndihmë financiare shtesë nga qeveria, në vlerë prej rreth 70 milionë eurove.

Me ndryshimet e reja të ligjit, i cili ka hyrë në fuqi, kompani nga më shumë degë industriale do të mund të aplikojnë për kthim të mjeteve, ndërsa paratë do t’i marrin në mes të muajit dhjetor.

Zëvëndëskryeministri Koço Angjushev dhe ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi vlerësojnë se këto masa do të jenë motiv shtesë për investime të reja në vend.

Zgjerohet numri i kompanive të cilat do të marrin ndihmë nga shteti, duke përfshirë kompani të cilat merren me teknologji dhe bujqësi, dhe të cilat deri tani nuk kanë qenë të përfshira me fondet evropiane IPA.

Ato do të kenë mundësi aplikimi deri më datë 1 gusht të këtij viti.

“Katër mijë kompani në përputhje me kriteret e ligjit i plotësojnë kushtet që këtë vit të aplikojnë për mbështetje financiare. Ato kompani janë një pjesë të huaja, një pjesë vendase, më shumë janë kompani vendase sepse nuk ka 4 mijë kompani të huaja. Prej kur ka hyrë në fuqi ligji për mbështetje financiare në industri janë punësuar 48 mijë të persona në nivel shtetëror ose rreth 50 mijë ose 48 mijë në sektorin përkatës.”- tha Koço Angjushev, Zëvendëskryeministër për çështje Evropiane.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi pret që këto ndryshime të nxisin hapjen e vendeve të reja të punës, dhe me këtë edhe përmirësimin e standardit jetësor të të gjithë qytetarëve.

Vitin e kaluar për ndihmë shtesë ose subvencione nga shteti kanë aplikuar gjithsejt 600 kompani, por kushtet i kanë plotësuar 300 prej tyre dhe kanë arritur t’i kthejnë një pjesë të mjeteve të investuara.

Zëvëndëskryeministri Angjushev njoftoi se këtë vit mjetet janë rritur për 48% më shumë se vitin e kaluar.

Ligji për mbështetje financiare të inevestimeve në ekonomi hyri në fuqi në maj vitin e kaluar.

Te fundit


Kthehu lart