Le të flasim për ferrin…


Ermal Mulosmani
16 Maj 2019 20:29

Marguerite Duras, një shkrimtare e madhe franceze, në një nga librat e saj thotë: “Në memorien e njeriut mbesin  disa  lloje kujtimesh. Të parat janë kujtimet e bukura ato për të cilët kemi nostalgji, krenari, na bëjnë të lumtur  dhe ne mezi presim ti sjellim në vetëdije e në biseda.

Të dytat janë ato kujtime që ne i ndajmë me njerëzit tanë më të afërt, prindin, të dashurin/dashurën, vëllain, motrën, shokun e ngushtë. Këto kujtime janë ngjarje fort mbresëlënëse për ne por  janë më personale se të parat.

Të tretat janë kujtimet që i ndajmë vetëm me veten. Janë ato kujtime  të cilat sigurisht kanë lënë gjurmë të forta në ndërgjegjen tonë, përjetime të forta emocionale, shpirtërore.Por për arsye të të qenurit thellësisht personale ato nuk duam t’i ndajmë me askënd përpos vetes.

 Dhe e fundit fare, por të parat nga rëndësia, janë ato të vërteta  të cilat ia fshehim edhe vetes! Janë ato kujtime, ato ngjarje për të cilat do të donim që të iknin nga kujtesa, të ekzistonte një gomë që i fshinte ato nga truri. Janë makthe ëndërrash që nuk na lënë rehat që sa më shumë duam ti harrojmë aq më shpesh ato na shfaqen, më të këqija, më të errëta, më të dhunshme, më terrorizuese”

Kjo që shkrova më lart nuk është ekzaktësisht ajo çka ka thënë Duras  por pak a shumë. Çdo njeri  në një formë a në një tjetër e gjen veten në këto kategorizime të saj.

Dhe kurrkund më fort se në luftë këto fjalë të shkrimtares së famshme nuk zënë vend…

Të gjithë jemi dëshmitarë të heroizmit mbinjerëzor të Adem  Jasharit në Prekaz. Rënia e tij heroike ishte fillimi i fundit të Serbisë në Kosovë.  Historia e lirisë së Kosovës është e lidhur pazgjidhshmërisht me rënien heroike të Jasharajve. Kemi dëgjuar edhe historinë emocionuese të rënies së Luan Haradinajt apo Zahir Pajazitit.  Këto ngjarje na bëjnë krenar, i përmendim e përkujtojmë sa herë ka pervjetorë, bisedat për to vazhdojnë netëve të gjata të shoqëruara edhe me këngë e tekste patetike. Dhe emocionohemi shumë.

Në studio televizive vijnë heronjtë e gjallë e rrëfejnë heoizmat e tradhëtitë. Shahen frikacakët e glorifikohen çlirimtarët. Një harpallisje e nivelit më të ekzagjeruar vihet re në sjelljet e tyre publike. Këtu nuk kemi rezerva, përkundrazi, kemi fantazi  inkandeshente. Historitë e kalojnë realitetin, ngjarje të harruara e të mjegullta fillojnë e bëhen heroike, ngjarjet e errëta eleminohen nga tryezat e debatit. Mjafton që të merren dy kundërshtarë e të flasin për Kosharen dhe u arrit qëllimi. Populli shtrihet në kolltuk dhe ndjek story-n.  Audienca e garantuar!

Këta janë heronjtë e bardhë, çlirimtarët. Shpesh ata të akuzojnë pse je gjallë. Të jesh frikacak dhe i dobët,  për ta është si të jesh nënnjeri, një kategori që ata e përbuzin. Thua ti që të jesh hero është gjëja më njerëzore. 

Kjo është historia e vitrinave, mburrjeve…

Për arsye të këtij shkrimi nuk do i marr në analizë kategorinë e dytë dhe të tretë por vetëm ato histori për të cilat “ne nuk duam t’ia kujtojmë edhe vetes”. Dhe këtu, padyshim, më i tmerrshmi është dhunimi seksual i popullsisë shqiptare!

Sot, Flora Brovina, bëri publike një foto që paraqiste një grua shqiptare që dhunohej nga tre ushtarë serbë. Pesë gjashtë metra më tutje dukeshin familjarët e saj që shihnin aktin e dhunimit nën kërcënimin e ushtarit tjetër me kallashnikov! Ishte një skenë që mund ta prodhonte vetëm fantazia perverse më çnjerëzore! 

Përdhunimi real po u ndodhte burrit, babait, djalit, nënës ose bijës që detyrohej të shihte atë makabritet njerëzor. Nuk e di sesi kanë jetuar ata njerëz, çfarë i ka thënë burri asaj gruaje, sa e ka gjykuar djali i saj.  “Nëse prova për të shkuar tek Zoti-thotë Dostojevski diku- do të duhej të kalonte në këtë kalvar tmerri atëherë unë do të refuzoja vajtjen atje”!

Më besoni, heroizmat më të çmendur njerëzorë, çartjet më të mëdha të trimërisë nuk afrohen aspak në këtë provë që u dha zoti këtyre njerëzve! Heroi vdiq, dha jetën, aq ishte, vuajtja dhe tmerri mbaroi.

 Kurse për këta martirë të ferrit askush nuk flet. Janë  zhytur atje, në një cep të errët, janë harruar, përbuzur, u është vënë damka e turpit. E mendoni pak vuajtjen e djalit që rri i lidhur, në krah me babain dhe motrën duke parë sesi një grup serbësh sesi I përdhunon nënën? Çfarë mendoni se do të mendojë ai fëmijë për të atin e paaftë t’i vijë në ndihmë gruas? Po për turpin që ka ky djalë ndaj motrës së vet që detyrohet të shohë një skenë të tillë? Po e lëmë atë se çfarë ndjen ai ndaj të ëmës, kjo është afërmendsh. Dhe drama më e madhe është se ky krim nuk merr shpagim kurrë.

Një dokumentar që kam parë kohë të shkuara me titull “Zëra nga Ferri” I autorit Leonard Kërquki më njohu me tre histori. Në njërën nga këto histori, gruaja e dhunuar tregonte sesi u futën 4 serbë në dhomën ku po flinin bashkë me burrin dhe 4 fëmijët, më i madhi 8 vjeç. Ishte shtatzënë 5 muajsh. Burri u nxor jashtë dhe në prezencë të 4 fëmijëve gruaja u dhunua në grup. Fëmijët qanin, djali I madh nuk I foli më kurrë. Ajo është në pritje që ai ta falë ndonjëherë megjithëse nuk e kupton dot fajin e saj. As djali me siguri nuk e din pse e dënon nënën e tij…

Jeta e asaj gruaje, e burrit të saj dhe e atyre fëmijëve në fakt, mori fund atë natë. Thjesht  ajo natë nuk mbaroi aty, ajo do të zgjasë deri në fund të jetës së tyre biologjike.

Atëherë çfarë duhet të bëjmë?

Duhet të flasim sa më shumë! Vetëm kështu e heqim të keqen prej shpirti. Dhe të kemi sa më shumë mirëkuptim. Një i dhunuar seksualisht dhe familjarët e tij janë martirë të klasit të parë, ata kanë nevojë për dashuri, përkrahje. Janë 20,000 femra e meshkuj të dhunuar seksualisht në Kosovë. Po të shumëzosh traumën e të dhunuarve me familjarët që e kanë përjetuar dramën atëherë dalin më shumë se 100,000 njerëz me këtë traumë…Një popull i tërë!

Heronjtë e legjendave duhet të kuptojnë që dhunimet seksuale janë edhe turpi i tyre. Të dhunuarit janë motrat,  vëllezërit ose kushërinjtë e tyre. Mos ua leni në derë atë turp që nuk duhet ta mbajnë. Ndajeni me ta turpin, bëhuni pjesë e tyre.  Çdo dhunim që i ka ndodhur grave apo burrave të Kosovës është dhunim që i është bërë gjithë banorëve të Kosovës.

Në përfundim të këtij shkrimi mora vesh që fotoja e publikuar është marrë në një faqe irakene. Por kjo nuk e ndryshon aspak thelbin e këtij shkrimi.

Te fundit


Kthehu lart