Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka kërkuar që seanca për votimin e Qeverisë në krye me Avdullah Hotin të mbahet të mërkurën në orën 11:00, raporton Gazeta Express
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, pas kërkesës që e ka dorëzuar në Kuvend ka folur para mediave.
“Pas marrjes së aktgjykimit të Gjykatës, në emër të LDK-së dhe deputetëve nënshkrues kam dorëzuar kërkesën për seancë për ditën e mërkurë në orën 11:00 me një pikë të vetme të rendit të ditës. Presim që ditën e mërkurë të kemi qeverinë e re”, tha Gashi.
Gashi ka thënë se tashmë i kanë votat për të votuar qeverinë e re.
“Përderisa i kemi ftuar seancë, normalisht se e kemi të garantuar formimin e Qeverisë. Presim të kemi 64-65 që votojnë pro kësaj Qeverie”, tha ai.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka bërë të ditur se nesër do të mblidhet kryesia e partisë, ku do të dakordohen edhe për emrat e ministrave. /GazetaExpress/