LDK i frikësohet ndryshimit


load
Gazeta Express
30 Tetor 2019 11:04

LDK i frikësohet ndryshimit që vetë e proklamon. I frikësohet ndryshimit të sistemit dhe kulturës politike të ndërtuar me kontributin e saj. Sistemit nepotist, arrogant e korruptiv dhe kulturës së pandëshkueshmërisë. Është i pamohueshëm kontributi i LDK’së në stërkeqjen e përgjithshme të vlerave politike e shoqërore

Imer Mushkolaj

Përderisa po negocion me Lëvzjen Vetëvendosje për krijimin e koalicionit qeveritar, Lidhja Demokratike e Kosovës po përpiqet që të krijojë përshtypje në publik se është jashtëzakonisht parimore, madje edhe e vështirë për arritjen e marrëveshjes. Por, përtej fluskave mediale, LDK nuk ka tjetër zgjedhje as zgjidhje, përveç të bëjë koalicion me VV’në.

Alternativa e shkuarjes në zgjedhje të reja do të nënkuptonte tkurrjen e LDK’së, por edhe koalicioni me partinë e Albin Kurtit nuk është i lehtë. Dhe nuk do të kalojë pa pasoja për subjektin që veten e quan institucionalist.

Dilema parazgjedhore, sidomos pas nominimit të Vjosa Osmanit për postin e kryeministres, ishte nëse vërtet mund të ndodhë çfarëdo ndryshimi me LDK’në në pushtet. Jo se brenda partisë nuk ka njerëz të denjë për të kontribuar në një kulturë qeverisëse ndryshe, por për shkak se LDK thuajse vazhdimisht ka qenë pjesë e sistemit dhe ka kontribuar me të madhe që të krijohet po ky sistem politik, qeverisës e shoqëror, të cilin tash po pretendon ta ndryshojë.

A nuk është vetë LDK e cila, veçanërisht në qeverisje e bashkëqevereisje me PDK’në, ka dhënë kontribut “të çmuar” në ruajtjen e vazhdimësisë së politikëbërjes nepotiste e të korruptuar, që e ka sjellë vendin në një situatë të vështirë? A nuk është vetë LDK që premtonte ta çkapte shtetin, por në vend të kësaj ngarendte të kapte pjesën e vet, sipas marrëveshjes për ndarjen e pushtetit?

Tingëllojnë qesharake përpjekjet e zyrtarëve të lartë të kësaj partie për të hequr përgjegjësinë në bëmat e më shumë se një dekade pushtet, ashtu si dhe përpjekjet për ta paraqitur LDK’në si të shenjtë dhe aspak përgjegjëse për gjithë çfarë ka ndodhur. Realiteti është krejt tjetër.

* * *

Për LDK’në nuk është aspak e lehtë një qeverisje me VV’në e cila, të paktën bazuar në deklaratat publike, synon ndryshimin e kulturës politike në vend. Është normale që LDK do të provojë ta ruajë vazhdimësinë e sistemit, në ndërtimin e të cilit ka dhënë kontribut të pamohueshëm. Njerëz të LDK’së sot mbajnë poste kyçe institucionesh kushtetuese dhe agjencish të tjera. Një numër jo i vogël syresh si rezultat i pazareve politike me PDK’në.

Njerëz të LDK’së, që veten e quan institucionaliste, kanë pjesën e vet në kapjen e shtetit, që kryesisht i atribuohet PDK’së. LDK është përpjekur vazhdimisht ta lajë veten nga përgjegjësia dhe barazimi me PDK’në, duke mohuar edhe përgjegjësinë në proporcion me kontributin e dhënë

në stërkeqjen e qeverisjes dhe kultivimin e kulturës së pandëshkueshmërisë që vetëm sa e ka trashur zullumin dhe arrogancën qeverisëse karshi qytetarëve.

Fillimi i një shkundjeje të sistemit do ta trondiste LDK’në, e cila me qejf do të ruante vazhdimësinë e po këtij sistemi, nepotist e korruptiv, të ndërtuar me kontributin më shumë se solid të saj.

LDK i frikësohet ndryshimit që vetë e proklamon. Sistemit nepotist, arrogant e korruptiv dhe kulturës së pandëshkueshmërisë. Sistemit në të cilin korrupsioni, keqpërdorimet e nepotizmi nuk janë përjashtime, por janë kthyer në rregulla.

* * *

Më e rëndësishmja në qasjen e qeverisë së re VV-LDK është ndryshimi i kulturës politike, i mendësisë qeverisëse të instaluar për më shumë se një dekadë. Është naivitet të mendohet se ky proces do të ndodh pa i shkaktuar dhimbje LDK’së.

Është i pamohueshëm kontributi i LDK’së në trashëgiminë politike që ka vendi sot. Është i pamohueshëm kontributi i LDK’së në stërkeqjen e përgjithshme të vlerave shoqërore. Askush nuk po kërkon që bëmat e LDK’së t’i barazojë me ato të PDK’së. Por është minimumi i korrektësisë politike e morale që të pranohet përgjegjësia për ato që nuk janë bërë mirë. Për ato që kanë mundur të bëhen më mirë.

Është qesharake që LDK të vazhdojë që fajin për gjithçka të keqe që ka ndodhur në Kosovë t’ua hedh të tjerëve, kryesisht partnerit të vet më të besueshëm, PDK’së. Është qesharake përpjekja për t’i bindur të gjithë se kjo parti nuk ka pikë faji për asgjë. Thua se nuk ka qenë kurrë në pushtet, thua se nuk e ka pjesën të vet shumë të madhe në gjithçka që ka ndodhur, për mirë e për keq.

Andaj koalicioni me VV’në e frikëson këtë parti, ndërkohë që asnjë alternativë tjetër nuk është shpresëdhënëse. Fillimi i shkundjes së sistemit do ta godasë direkt dhe LDK e di mirë këtë. Opsionet eventuale për për të fituar çfarëdo amnistie nuk duhet pranuar. Ndërmjet vazhdimësisë së sistemit dhe ndryshimit të kulturës qeverisëse duhet zgjedhur të dytën. Nëse kjo nuk i bën mirë LDK’së, të ardhmes së vendit do t’i bëjë mirë gjithsesi.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart