“Lava e gjelbër” është fituesja e pakontestuar e zgjedhjeve në Zvicër


Gazeta Express
21 Tetor 2019 10:01

Ajo për të cilën pajtohen të gjithë në Zvicër, “rrëshqitja e gjelbër” tashmë ka ndodhur. Partia e Gjelbër e Zvicrës (GPS) dhe ajo e Gjelbër Liberale (GLP), janë fitueset e vërteta në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 20 tetor.

Ndonëse as tani këto parti nuk përbëjnë forcën më të madhe në parlament (as veç e veç dhe as të  bashkuara) rezultati i tyre kufizohet me senzacionin. GPS nga 11 vende sa i kishte, ka fituar edhe 17 vende shtesë në parlament, shkruan albinfo.ch. Tani, me 28 deputetë, që është pothuajse trefishim i forcës së saj, ajo është partia e katërt për nga fuqia në vend.

Ndërsa GLP i ka tani 16 vende, nga 7 sa i ka pasur. Edhe këtu kemi një rritje për më shumë se dyfish të numrit të deputetëve.

Shqetësimi për ndryshimet klimatike, që ka pasur kulmin e tij pikërisht gjatë muajve të fundit, është “përkthyer” në numra rekordë votuesish për GPS dhe GLP. Në këtë pikë bashkohen mendimet e të gjithë njohësve të skenës politike të Zvicrës.

Sidoqoftë, sipas shifrave përfundimtare, SVP/UDC vazhdon të jetë partia me numrin më të madh të vendeve në parlament ndonëse ka humbur plot 12 vende ose 3.8% të votave, shkruan albinfo.ch. Tani SVP ka vetëm 53 deputetë, nga 65 sa kishte në legjslaturën e kaluar.

SP (Partia Socialdemokrate) ka pësuar edhe ajo një rënie, nga 43 sa i kishte, tash i ka 39 vende në parlament. Po ashtu 4 vende i ka humbur edhe Partia Liberale (FDP), duke rënë nga 33 në 29 vende. Ndërsa CVP, partia e cila deri tash ka qenë e katërta  ka rënë në 25 vende nga 28 sa i ka pasur, shkruan albinfo.ch. Tani ajo është vetëm partia e pestë në parlament. Një humbje të madhe e ka pësuar në këto zgjedhje BDP-ja, e cila nga 7 ka rënë në 3 vende.

Po të llogariten bashkë GPS dhe GPL, të gjelbrit si tërësi, me 44 deputetë, do të përbënin grupimin e dytë më të madh në parlament, pas SVP-së.

Përfundimisht, rezultatet e dy partive të gjelbra kanë sjellë një ndryshim në skenën politike çfarë Zvicra nuk ka përjetuar gjatë dekadave të fundit, shkruajnë mediat e këtushme.

Një ndryshim i krahasueshëm me këtë ka ndodhur vetëm në vitin 1999, kur SVP-ja ishte rritur nga 14.9% në 22.5%.

Me gjithë rritjen e madhe të partisë, GPS aktualisht nuk e ka ndërmend të ngutet për të kërkuar vendin e saj në qeveri. Kjo, pjesërisht për faktin se në Zvicër ekziston një rregull sipas të cilit pjesëtarët e Qeverisë Federale të zgjedhur nga dy dhomat e parlamentit, vendosin vetë kur duan të tërhiqen, transmeton albinfo.ch. Po ashtu është një traditë që partia e cila arrin rezultate të mira duhet të presë së paku dy legjslatura të kuvendit për të konfirmuar trendin e rritjes, para se të pretendojë vendin në qeveri.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart