Lamtumirë privatësi


Gazeta Express
23 Korrik 2019 11:11

Nuk ka më një sferë private që u shpëton tentakulave të pushtetit. Nga ana tjetër, ne flasim për privatësinë dhe harxhojmë tonelata letre për deklarata të panevojshme. Dhe paguajmë me taksat tona insitutcionet për të. Jetë private, lamtumirë

Pierluigi Battista

Me shpikjen e pelenave të pajisura me sensorë që tregojnë nëse foshnja ka nevojë të ndërrohet, realizohet profecia e kontrollit të plotë mbi jetën e secilit, që nga djepi deri në varr. “Jeta private”, një krijesë e mrekullueshme kulturore dhe psikologjike e qytetërimit borgjez që tani është në prag të zhdukjes, ka ardhur në fundin e saj për fat të keq.

Materializohet ëndrra- makthi – totalitar dhe shtypës i transparencës absolute të çdo aspekti, madje edhe më të voglit, të ekzistencës sonë. Instalohet regjimi i mbikëqyrjes universale dhe absolute të përshkruar nga Michel Foucault.

Fuqia politike, policore dhe gjyqësore dhe fuqia ekonomike i japin një dorë që të konvergojnë në një qëllim të përbashkët: nënshtrimin e individit ndaj domosdoshmërive të kontrollit shoqëror.

Karta e kreditit i ofron për ty atij që të kontrollon, një vizion total dhe asfiksues: çfarë ha, ku, me kë, ku shkon, çfarë zakonesh ke.

Të dhënat e shëndetit pushojnë së qeni të mbrojtura dhe konfidenciale, në mëshirën e pushtetit publik. Abonimi në autostradat me pagesë tregon rrugët që ke bërë, madje edhe sa herë ke pushuar.

Hartat e internetit kontrollojnë çdo hap tëndin. Kartat e supermarketit tregojnë se sa shpenzon, çfarë shpenzimesh bën, çfarë lloj letre higjienike përdorn dhe nëse pi ujë të gazuar ose natyral dhe gjithçka tjetër, deri në detajet më të vogla.

“Gjeolokalizimi” të ndjek deri në skutat më të fshehura. Një “trojan” spiunon çdo fjalë tënden, çdo foto që ndan me të tjerët në Whatsapp: kënaqësia e vetme është që ata që vuajnë pasojat tani janë disa magjistratë, të cilët bëjnë një përdorim të paautorizuar të atij instrumenti për të masakruar reputacionin e kujtdot. Çdo flirt regjistrohet.

Nuk ka më një sferë private që u shpëton tentakulave të pushtetit. Nga ana tjetër, ne flasim për privatësinë dhe harxhojmë tonelata letre për deklarata të panevojshme.

Dhe paguajmë me taksat tona insitutcionet për të. Jetë private, lamtumirë!

Corriere della Sera

Te fundit


Kthehu lart