Trajneri i Chelseat, Frank Lampard, beson se sulmuesit të skuadrës së tij, Tammy Abraham do t’i bëjë mirë goli i shënuar në ndeshjen kundër Crystal Palace, pasi tha se futbollisti është i dëshpëruar për të shënuar gola.
Chelsea fitoi ndeshjen në Sulhurst Park me rezultat 3:2 të martën, ndërsa 22-vjeçari e shënoi golin vendimtar, që ishte i pari për të që nga rinisja e futbollit në Angli, transmeton Gazeta Express.
Para ndeshjes, Lampard e këshilloi futbollistin të përqendrohet në formën e tij dhe paraqitjet e jo në diskutimet për një kontratë të re, mes spekulimeve për vendin e tij në skuadër kur të vijë Timo Werner, i transferuar nga Leipzigu.
Sulmuesi nuk kishte shënuar që nga 11 janari dhe e kishte humbur vendin në formacionin e parë pas rinisjes së sezonit, por Lampard beson se forma e tij do të përmirësohet pas këtij goli të fundit.
“Do të jetë një gol shumë i rëndësishëm për Tammyn pasi që ai është i dëshpëruar për gola”, tha Lampard pas ndeshjes.
“Ai nuk shënoi gola për një kohë. Ky gol ndihmon për vetëbesimin e tij dhe është i mirë për mua. Kjo më jep mua opsione të tjera”.
“Ai hyri në ndeshje vonë dhe e shënoi golin e fitores. Natyrisht që unë gëzohem për sulmuesit e mi”. /Gazeta Express/