Lajmi i akullt nga Xhamajka që ua ndërpreu festën kosovarëve me Bob Marleyn - Gazeta Express
string(75) "lajmi-i-akullt-nga-xhamajka-qe-ua-nderpreu-festen-kosovareve-me-bob-marleyn"

Lajmi i akullt nga Xhamajka që ua ndërpreu festën kosovarëve me Bob Marleyn

Gazeta Express

21/02/2020 17:59

Kosova ka ngecur në fushën e njohjeve. Tashmë janë bërë më shumë se dy vjet që kur erdhi njohja e fundit. Gëzimi se Xhamajka i shtohet listës zgjati vetëm 9 orë, kur kosovarëve iu ndërpre festa me Bob Marleyn yllin e muzikës reggae që nisi sapo Presidenti Thaçi dha lajmin, shkruan Gazeta Express.

Pak ditë pasi që Kosova e shënoi përvjetorin e 12’të presidenti i shtetit, Hashim Thaçi shkroi në Twitter se Xhamajka e ka njohur pavarësinë e shtetit. Kumti i Thaçit gëzoi të gjithë, për faktin që njohjet janë rralluar shumë dhe sidomos për shkak të fushatës së Serbisë për çnjohje që sipas tyre ka shkuar në 16 shtete.

Lexo Edhe:

Për këtë lajm tha se është lajmëruar nga ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, derisa, e falënderoi për kontributin e tij edhe kongresmenin amerikan Eliot Engel.

Për njohjen e 117-të reaguan të gjithë liderët në vend, Hashim Thaçi që dha njoftimin, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentarja Vjosa Osmani e Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Në heshtje mbeti qëndroi ambasadorja Çitaku.

Pos gëzimit se Kosova po e rifillon jetën diplomatike, politikanët në vend u kujdesën që meritat t’ua atribuojnë vetes.

Fatkeqësisht, gëzimi i kosovarëve për këtë temë zgjati hiç më pak se nëntë orë. Mëngjesin e ditës së sotme, lajmi ku Ministrja e Punëve të Jashtme të Xhamajkës, Kamina Smith e shpërndante postimin e Thaçit duke e demantuar njohjen, tregoi se krejt kjo ishte një informacion i rremë.

Ata që thanë se kanë kontribuar për marrëdhënie të mira me Xhamajkën, e që njohja të ndodhë shpejt, çuditërisht u tërhoqën menjëherë sapo lajmi doli të mos jetë i vërtetë. Në fakt, institucionet në vend, krejt fajin u kujdesën që t’ia lejnë ambasadores Çitaku, që në asnjë vend nuk e dha lajmin personalisht.

Ishte i pari që reagoi presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Përmes zyrës për media, presidenca tha se lajmin për njohjen e kanë marrë nga ambasadorja e se ajo duhet të sqarojë situatën, bashkë me MPJ-në.

“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës është njoftuar mbrëmë zyrtarisht nga Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, për njohjen nga shteti i Xhamajkës. Të njëjtin njoftim, ambasadorja e ka dërguar edhe në Zyrën e Kryeministrit dhe të Ministrit të Punëve të Jashtme. Presidenti këtë njoftim e ka bërë publik përmes profilit të tij në Twitter. Për informacione tjera, luteni t’i drejtoheni Ministrisë së Punëve të Jashtme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Informimit të Presidencës për Gazetën Express.

Pak më vonë, me tone pak më të ashpra reagoi Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca që veç dje e filloi luftën diplomatike duke shkarkuar 14 konsuj.

Përmes një shkrimi që e bëri në Facebook, shefi i diplomacisë shkroi se janë duke u munduar që të sqarojnë situatën, teksa, paralajmëroi se do të marrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit, pa përmendur se çka mund të jenë ato.

“Si Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas shqyrtimit të situatës, shumë shpejt do të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit”, tha Konjufca.

Derisa Kosova po vazhdon rrugën dy vjeçare pa njohje të reja ndërkombëtare, në shtetin serb nuk janë ndalur fushatat se disa shtete i kanë tërhequr njohjet. Se shteti i udhëhequr nga Aleksandër Vuçiq mund të ketë ndikim në propagandë edhe në njohjen nga Xhamajka është raportuar sot në media.

Fushata që ka vite që e ka nisur Serbia për njohjet, është kritikuar edhe nga SHBA e Amerika, derisa, kanë bërë thirrje që ato të ndalet, paralelisht me heqjen e tarifës që e ka vendosur Kosova.

Momentalisht, Kosovën sipas institucioneve në vend e njohin 116 shtete. Diplomacia kosovare e ka lënë të paqartë nëse ndonjë shtet e ka tërhequr njohjen.

Njohja e fundit mbetet ajo nga Barbadosi, që bëri të ditur se e ka njohur Kosovën me datë 15 shkurt të vitit 2018-të.

Në vitin 2017-të e 2016-të ndërkaq Kosovën e kishin njohur vetëm nga dy shtete. Tre shtete e kishin njohur pavarësinë e vendit në vitin 2015-të, ndërsa, katër në vitin 2015-të./GazetaExpress/