Lajmet gallatë të Top Channel dhe mamaja ime


Ermal Mulosmani
8 Prill 2019 13:41

Isha në shtëpi ditën e shtunë dhe, rastësisht, mbeta në edicionin e lajmeve të orës 15.00 të Top Channel. Në fillim isha pa vëmendje. Por më tërhoqi lajmi i parë dhe pastaj u bëra i vëmendshëm.

Çfarë ishte kronika e parë, lajmi hapës, ai që do merrte vëmendjen e gjithë shikuesve anembanë Shqipërisë?

ERE, pra Enti Rregullator I Energjisë, i kishte refuzuar OST-së (Operatorit të Sistemit të Transmetimit) të merrte një kredi prej 100 milion dollarë investime në rrjet. “Kompania do të zgjidhej me garë -thoshte teksti I kronikës- por Enti e gjeti të paligjshme gjithë proçedurën”! Kaq ishte lajmi. Pra, me fjalë të tjera, nuk do ndodhë asgjë. Thjesht vigjilenca e ERE-s dhe e Ministres së re të Infrastrukturës, parandaloi një vjedhje ose një shkelje ligjshmërie.

Ky në fakt është akti më i zakonshëm, praktika më rutinë e një institucioni si Enti rregullator i Energjisë. Këtu nuk ka pikë lajmi, asgjë fare. Por servilizmi i Televizionit nuk mjaftohet ta fusë në lajme (që do të ishte tmerrësisht e tepërt, e panevojshme) por kujdeset ta bëjë edhe lajm të parë!

“Nuk ka më raste si DH Albania që fitoi tenderin me OST-në e vjetër, atë të Drejtorit të korruptuar Klodian Gradeci, emri i të cilit dilte edhe në kërkesën drejtuar Ministrisë! Jo, tani shteti ka Zot e Ministër që nuk rrëshqet asgjë!”

Ky ishte nënteksti I kronikës…

Kjo kronikë hapëse e lajmeve të Televizionit Kombëtar, njërit prej pikave të referimit historike, që shqiptarët kanë pasë për një informacion të paanshëm, ishte tejkalim i çdo kufiri servilizmi. Ishte kapitullim pa kushte dhe jo ndaj Kryepushtetarit, por ndaj një vartësi krejt të rëndomtë të tij, një Ministri të bindur deri në përulësi ndaj të parit.

Kjo kronikë më bëri të vëmendshëm për të ndjekur gjithë edicionin….

Lajmi i dytë ishte sihariq për shqiptarët e munduar prej 30 vitesh nga hipotekat, një zgjidhje përfundimtare e problemit të pronave dhe një shpresë që do vihet rregull në këtë vend! I madhi fare, Kryepushtetari, ia kishte gjetur punës ustain. Artan Lame, pasi i bëri me letra të gjithë shkelësit e pronës publike ose private (ALUIZNI) tani do të regjistrojë të gjithë pronat e paregjistruara të Republikës! Me fjalë të tjera, Qeveria do na e zgjidhë edhe këtë hall të madh që na ka ra në kokë duke sakrifikuar për këtë qëllim Lamen.

Ej, Top Channel-i i madh, gjigandi mediatik, kishte lajm të dytë, sihariq të Qeverisë për popullin, emërimin e Tan Lames si Shef Kadastre! Turp e faqja e zezë… Por, prit thashë, ja të shoh edhe pak…

Lajmi i tretë ishte sihariqi i radhës i Qeverisë, ndërtimi i Aeroportit të Kukësit! Pikë e zezë, këtë sapo e kishte lajmëruar Kryeministri, një ditë më parë, live, në të gjitha televizionet. Aty na e kishte sqaruar gjithçka… Ç’ne kjo kronikë? Edhe në ERTV do tingëllonte e tejkaluar dhe propagandistike…Por duhej të dëgjonim edhe Muhamet Veliun me Ministren e Infrastrukturës…

Mu kujtua Muhameti i ngratë në protestën e 16 Shkurtit…E kishin çuar në terren për të lajmëruar se çfarë po ndodhte aty. Por Muhameti nuk u përmbajt. Ai lajmëronte edhe se çfarë bënte OSBE : “OSBE deklarohet kundër dhunës në protestë. Ka një bllok të komunitëtit ndërkombëtar që dënon dhunën përkundrejt thirrjes së tyre për vetpërmbajtje”…

Mund të jetë reporteri i parë që çohet të raportojë për ngjarjet në terren dhe lajmëron ato në kancelaritë e ndërkombëtarëve. Dhe sa herë shkon Muhameti kuptohet se çfarë lajmi do jetë…

Meti na i spjegoi gjatësine, gjerësinë dhe gjithcka për këtë investim të Qeverisë…

Huuu, thashë me vete. Po prit more se mos diçka ndryshon… Dhe lajmi i katërt ishte…

“Rektori i Universitetit të Kamzës kundërshton ndërtimin e dy shkollave të reja në territorin e Bashkisë së Tiranës por që ndodhet pranë Universitetit…”

Duket që radha e lëpirjes ka ardhë tek  Bashkia e Tiranës. Ajo po përpiqet të rrisë nivelin e shkollave për banorët e shumtë të Kamzës por administrata e Universitetit, e papërgjegjshme, po manipulon të vërtetën. Kishte edhe sinkrone të banorëve që kërkonin shkollë. Fëmijët flisnin, kishin nevojë për shkollë…Të gjithë i kërkonin shkollat, banorët, fëmijët… Veç burokratët e Universitetit, dhe ca studentë, të  nxitur nga Jamarbër Malltezi kanë pretendime. Ky ishte grupi antiparti.  

“Grupi është i vogël- sqaron gazetarja- dhe shton: “Konflikti është ndezur edhe në rrjetet sociale”

Për ta ilustruar këtë që sapo tha tregon një status të Kryetarit të Bashkisë që i përgjigjet Jamarbër Malltezit. Këtu futet në lojë përsëri Met Veliu, zëri i Kryetarit duhet të jetë sinkron me nivelin e servilit… Muhameti ka rangun e tij.

Ej, kronika thoshte që Kryetari i Bashkisë i përgjigjej Jamarbër Malltezit. Por jepte vetëm përgjigjen jo tekstin e dhëndrit të zhurmshëm…

Kush nuk beson, në fund të këtij shkrimi keni edhe linkun e edicionit në fjalë.

Çdo mall që kisha për Televizionin Shqiptar të kohës ‘92- ’96 mu shua.

Jam i sigurtë, që, ERTV-ja, është më e kujdesshme në propagandën e vet krejt të justifikuar.

Pastaj mu kujtua mamaja ime. Në vitin 2017, pasi e kishte votuar në çdo zgjedhje Sali Berishën dhe Basha nuk i ngjiste shumë më tha “Ermal, e kam gjetë zgjidhjen. Vota ime shkon vetëm për Ben Blushin dhe Libran. Vetëm ai ia mbledh Ed Ramës”. Kështu më tha e shkreta….

Te fundit


Kthehu lart