Paraqitet Pacolli: Përfshirja e votave nga Serbia në rezultat, skandal dhe gabim historik, do t’i përdorim të gjitha mjetet ligjore


load
Gazeta Express
7 Nëntor 2019 12:16

Pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror Zgjedhor, është paraqitur edhe kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, partia e së cilit mbeti jashtë Kuvendit. Sipas Pacollit, rezultatet paraqesin një rezultat të manipuluar dhe nuk e pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve, shkruan Express.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Pacolli ka thënë se numërimi i votave nga Serbia që, sipas tij, janë dorëzuar në kundërshtim me ligjin është një skandal dhe një gabim historik.

“Përfshirja në numërimin e votave nga Serbia që janë dorëzuar në kundërshtim me ligjin dhe të cilat janë plotësuar kryesisht nga një person që përfaqëson Vuçiçin dhe Daçiçin në Kosovë është një skandal dhe një gabim historik. Ne do të përdorim të gjitha mjetet ligjore për të parandaluar këtë gabim të rëndë për demokracinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë”, ka shkruar Pacolli.

Ndryshe, koalicioni parazgjedhor Nisma Socialdemokrate – Aleanca Kosova e Re – Partia e Drejtësisë, nuk e kanë kaluar pragun për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës, nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Sipas të dhënave të KQZ-së, Nisma-AKR-PD ka marrë 42 mijë e 72 vota apo 4,984 për qind, përderisa për ta kaluar pragun nevojiten 5 për qind e votave. /Gazeta Express

Te fundit


Kthehu lart