Kthehu lart

VMRO–DPMNE: LSDM dhe Zaevi e shkelën demokracinë dhe drejtësinë

VMRO–DPMNE: LSDM dhe Zaevi e shkelën demokracinë dhe drejtësinë GazetaExpress

Zoran Zaevi dhe 80 të dëshpëruarit e tij nuk fituan mandat në zgjedhje për të ndryshuar Kushtetutën, për të fshirë emrin e Republikës së Maqedonisë dhe për të ndryshuar identitetin, thuhet në komunikatën e sotme të partisë VMRO-DPMNE.

Partia më e madhe opozitare maqedonase, e cila kundërshtonte me të gjitha mjetet ndryshimet kushtetuese për pranimin e marrëveshjes me Greqinë, me të cilën Maqedonia do ta ndërrojë emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut, thotë se "Zaevi dhe 80 të dëshpëruarit nuk fituan mbështetje as në referendum për të fshirë historinë, traditën dhe kulturën e Republikës së Maqedonisë".

"LSDM dhe Zoran Zaevi e shkelën demokracinë dhe ligjin në Republikën e Maqedonisë. Duke mos pasur guxim të përballet me vullnetin e qytetarëve i cili ishte i qartë në referendum, Zaev u drejtua në dhunimin e institucioneve, shtetit dhe vullnetit të popullit të vet.

Me këtë miratim të dhunshëm të ligjeve kundër vendimit të popullit dhe mbledhjes së dhunshme të votave në Kuvend nën kërcënimet e persekutimit politik, LSDM dhe Zoran Zaev e humbën legjitimitetin për të folur për vlera demokratike dhe evropiane.

Ajo që i ndodhi Maqedonisë është turp dhe precedent që nuk ka asgjë të përbashkët me demokracinë.

Me këtë akt LSDM-ja dhe Zaev i dhanë fund karrierave të tyre. Shumë shpejt do të duhet të përballen me qytetarët, ndërsa atëherë ky pushtet kundër popullit dhe jodemokratik do të shkojnë në histori.

Maqedonia dhe populli shumë herë në histori janë përballur me vështirësi por çdoherë kanë dalë fitimtarë, sepse populli asnjëherë nuk ka hequr dorë nga vendi i tyre", thuhet në komunikatën e VMRO-së.

Të premten LSDM-ja dhe lideri i saj, kryeministri maqedonas Zaev, arritën që të sigurojnë dy të tretat e votave (80 nga 120) të deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë, që është kusht për anëtarësimin e vendit në NATO dhe për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shkruan Gazeta Express.

    Data: 21 Tetor 2018 13:40
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera