Kthehu lart

Visar Ymeri: Kurti e Mustafa si kukuvajkat po vajtojnë, iu mungon legjitimiteti

Visar Ymeri: Kurti e Mustafa si kukuvajkat po vajtojnë, iu mungon legjitimiteti GazetaExpress

Ish-udhëheqësi i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, po konsideron se Albin Kurtit dhe Isa Mustafës po u mungon legjitimiteti kur po flasin për rezolutën dhe ekipin negociator të miratuar në Kuvend. Ka thënë se dy liderët e opozitës kanë zgjedhur rrugën e vajtimit dhe ligjërimit absurd.

Këto komente Ymeri i ka bërë pasi LDK e VV dolën kundër rezolutës së PSD’së dhe ekipit negociator. Dy partitë kërkuan zgjedhje para çfarëdo diskutimi për dialogun me Serbinë.

“Të strukur në rehatinë e zyreve e shtëpive të tyre që vajtojnë për legjitimitetin e munguar, me një ligjërim që lëngon nga formalizmi absurd. Thua ti, atë që ata e quajnë legjitimitet garanton marrëveshje të dobishme për Kosovën. Ç’marrëveshje? Sikur ajo për Zajednicë? Pa kurrëfarë përfitimi për Kosovën”, ka shkruar Ymeri, në një reagim në FB.

Visar Ymeri dikur ishte ithtar e militant i Lëvizjes Vetëvendosje. Mirëpo, tash është larguar nga kjo parti. Ka vendosur bashkë me 11 kolegë tjerë të themelojnë PSD’në, e cila i është bashkuar Qeverisë së PDK’së e LDK’së në dialog me Serbinë.

Visar Ymeri ka sqaruar edhe një herë pozicionin e PSD’së në dialg.

“Në Delegacionin shtetëror do të bashkëdrejton opozita (Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj). Brenda Delegacionit vendimet do të merren me unanimitet, dhe nëse/kur nuk arrihet unanimiteti pas dy tentimeve, atëherë me 2/3 e anëtarëve. Raporti mes Koalicionit qeveritar dhe Opozites/Shoqërisë civile në Delegacion është 7 me 5”, ka shkruar Ymeri.

“Nuk ka marrëveshje pa njohje!”, ka shtuar ai.

Ymeri i është përgjigjur Kurtit edhe sa i përket idesë se pas ushtrisë disa parti në Kosovë u shtrinë në raport me Serbinë.

“Në të vërtetë jemi ngritur në këmbë si Republikë, si Kosovë e si Kuvend. Të vetmit që janë shtrirë e futur nën sqetull janë ata që po vajtojnë, kukuvajkat”, ka shtuar ai.

    Data: 16 Dhjetor 2018 13:03
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera