Kthehu lart

Vetëm 42 çerdhe publike në tërë Kosovën

Vetëm 42 çerdhe publike në tërë Kosovën GazetaExpress

Vetëm 10 % e fëmijëve të moshës 1-5 vjeçare në Kosovë vijojnë mësim në instuticionet parashkollore.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në vitin shkollor 2017/2018  janë 42 instuticione parashkollore publike, e në këto instuticione janë rreth 5,328 fëmijë.

Ndërsa, sa i përket çerdheve të sektorit privat janë 102 me 3,779 fëmijë të moshës parashkollore.

Sipas ekspertit të arsimit, Dukagjin Pupovci numri  i fëmijëve që janë të regjistruar në këto instuticione është shumë i vogël.

“Në Kosovë rreth 9,100 fëmijë të moshës 1-5 vjeç janë të regjistruar në ndonjë institucion parashkollor. Kjo është shumë pak, duke marrë parasysh se në Kosovë janë rreth 110,000 fëmijë të moshës 1-5 vjeç, pra më pak se 10% e tyre kanë mundësi të vijojnë edukimin parashkollorë”,  tha Pupovci për KALLXO.com

Ai thotë se problem në çerdhet private është edhe mungesa e kapaciteteve si dhe çmimet e larta.

“Një problem është mungesa e kapaciteteve në kopshtet publike, ku çmimet e qëndrimit të fëmijëve janë më të volitshme se në sektorin privat, por edhe ato mund të jenë të papërballueshme për një numër të familjeve. Ndërkaq, në sektorin privat ka vende, por çmimet janë më të larta. Ndërtimi i kopshteve të reja publike mund ta zbusë problemin, por jo edhe ta zgjidhë atë, sepse mbajtja e një kopshti publik ka kosto mjaft të lartë, si në aspketin e ndërtimit, ashtu edhe të pagesës së stafit dhe shpenzimeve rrjedhëse”, shtoi ai.

Ai po ashtu tha se është shumë e rëndësishme që fëmijët e shtresave më të varfëra të jenë pjesë e kopshteve.

“Është shumë me rëndësi që pikërisht fëmijët nga shtresat më të varfëra të shoqërisë të kenë qasje në edukim parashkollor, sepse kjo është mundësia që ata t’i fitojnë disa shkathtësi që ndërtohen në moshë të hershme, e që, për shkaqe objektive, nuk mund t’i fitojnë në shtëpi”, tha Pupovci për KALLXO.com

Ndërkaq, prindërit e fëmijëve parashkollorë janë të mendimit se çerdhet  ndihmojnë në zhvillimin e fëmijëve por se preferojnë më shumë që fëmijët e tyre të edukohen në instuticione parashkollore private.

Luljeta Kastrati nga Gjilani, nënë e një djali 3 vjeçar, tha për KALLXO.com se djalin e saj e ka dërguar fillimisht në një çerdhe publike, por për shkak të mos nivelit të duhur është detyruar ta dërgojë në çerdhe private.

“Djalin tim e kam dërguar në çerdhe në mënyrë që të socializohet më shumë më fëmijët e tjerë. Po ashtu,  gjithçka  është me orar, njëra ndër to edhe gjërat më të rëndësishmë për fëmijët, ushqimi dhe gjumi, arsyja tjetër është edhe sepse bëjnë çdo ditë aktivitete që rrisin kreativitin e fëmijës. Një herë e kam pas në të shtetit por aty nuk u adaptu djali. Gjithmonë qante dhe pas një jave ia kam ndërpre dhe e kam dërgu në çerdhe private. Aty është adaptuar menjëherë,  pas 3 ditësh  fëmija më gëzim shkonte dhe e donte edukatoren. Është adaptuar pa problem”, tha ajo.

Nënkryetarja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Teuta Haxhiu tha për KALLXO.com se shpreson që me unitetin e deputetëve do të hapet kjo çështje dhe të ndërton sa më shumë çerdhe në vendet ku ka mungesë të tyre.

“Mund të them se çerdhe publike edhe në vitin 2018 ende kemi problem me hapjen e tyre, duhet të eleminohet sa më parë. Unë besoj në unitetin e deputevë, shpresojë që një herë do të thirrin jashtë politikës, jashtë subjekteve politike, në mënyrë që të hapen në vendet që ka mungesë të tyre. Për mua është shqetësim Prizreni, sepse është qyteti i dytë më i madh në Kosovë dhe nuk ka çerdhe publike”, tha Haxhiu.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, qyteti me më së shumti çerdhe private është Prishtina e cila ka mbi 50 sosh, po ashtu kryeqyteti i Kosovës dominon edhe sa i përket pjesëmarrjes së fëmijëve në këto instuticione, ku numri i tyre sillet mbi 1 mijë.

    Data: 12 Tetor 2018 16:08
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera