Vdes studenti 23-vjeçar nga Suhareka, kishte probleme me zemër

Pasditen e së hënës ka ndërruar jetë një student 23-vjeçar i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. L.GJ. nga Suhareka vdiq pas provimit me shkrim në të cilin sipas Drejtoreshës së Klinikës së Gjinekologjisë, Myrvete Paçarada, ishte i shkëlqyer. 

GazetaExpress

Të hënën ka ndërruar jetë L.GJ, 23-vjeçar nga Suhareka. Ai ishte student i mjekësisë. Lajmin për vdekjen e 23-vjeçarit për Express e ka konfirmuar Drejtoresha e klinikës së Gjinekologjisë, Myrvete Paçarada, e cila ka thënë se L.GJ. ishte student i dalluar. 

“Studenti në fjalë i është nënshtruar provimit me shkrim me asistenten e lëndës, e ka kaluar me sukses, madje ka qenë i shkëlqyer në provim. Pas testimit me shkrim, studentët i nënshtrohen fazës së dytë të provimit, asaj me gojë, të cilën e mbaj unë. Pasi ka dalë nga provimi me shkrim është taku me kolegët dhe duke biseduar rreth provimit është rrëzuar”, ka thënë Paçarada. 

Ajo thotë se mjekët e klinikës së Kardiokirurgjisë kanë punuar 10 orë me pacientin, mirëpo ai nuk ka arritur të mbijetojë. Kolegët e L.GJ. i kanë thënë Paqaradës se ai ka pasur probleme shëndetësore që nga fëmijëria. 

“Kolegët e tij, studentët tjerë më thanë që ka pasë probleme shëndetësore prej kur ka qenë fëmijë dhe është trajtu në Beograd, por unë nuk di më shumë rreth kësaj”, ka theksuar Paçarada. /GazetaExpress

Të tjera

Lajmet e fundit