Kthehu lart

Ushqimi me insekte në çerdhet e fëmijëve në kryeqytet- hetimet po vazhdojnë

Ushqimi me insekte në çerdhet e fëmijëve në kryeqytet- hetimet po vazhdojnë Foto ilustruese Arjeta Shabani Autori: Arjeta Shabani GazetaExpress

Ende nuk po dihet se si arriti ushqimi me insekte në çerdhet e fëmijëve në kryeqytet. Drejtoresha e Çerdhes “Fatosat”, Vlora Maliqi i ka thënë Gazetës Express se janë në pritje të raportit nga Komuna e Prishtinës për këtë rast. Por, as në këtë institucion nuk kanë ndonjë informacion. Deklarojnë se ende nuk kanë përfunduar hetimet, dhe si rrjedhojë ende nuk është ndëshkuar askush për këtë rast, shkruan Gazeta Express.

Qindra fëmijë që ushqehen në kopshtet e kryeqytetit do të mund të ishin helmuar nëse do të kishin ngrënë ushqimin që do tu shërbehej ditën e 7 gushtit të këtij viti. E gjithë kjo për faktin se në ushqimin që ishte dedikuar për ta, ishin gjetur insekte.

Po të mos i kishte vërejtur personi përgjegjës këto insekte, atëherë spitalet do të ishin plot pacientë.

Por, se i kujt ishte faji dhe se si insektet hynë në ushqim, këtë ende nuk po e di askush. Së paku kështu po deklarojnë.

As në çerdhen për të cilën ishte i dedikuar ky ushqim, ende nuk po e dinë se kush e shkaktoi gjithë këtë.

Drejtoresha e Çerdhes “Fatosat”, Vlora Maliqi Abdullahu ka thënë për Gazetën Express se ende nuk ka asgjë të re lidhur me këtë rast. Deklaron se janë në pritje të raportit nga komuna.

“Jo, nuk ka asgjë të re në lidhje me këtë rast. Komuna pasi që ta marr raportin, do të na njoftoi me më të rejat”, ka thënë drejtoresha e këtij kopshti për Express.

E një informatë të tillë nuk e kanë as në komunën që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti.

Drejtori për Arsim në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj i ka hënë Gazetës Express se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar. Thotë se deri në përfundimin e hetimeve nuk mund të flasin, e si rrjedhojë nuk mund as të ndëshkohet dikush.

“Jo, ende nuk po dihet se si ka ardh deri te insektet në ushqim, dhe ende nuk është ndëshkuar askush, pasi që nuk kanë përfunduar hetimet. Është duke u hetuar ky rast, dhe deri në përfundimin e hetimeve nuk mund të themi asgjë”, ka thënë ai.

Salihu mohon që fajin për këtë e ka Kuzhina Qendrore, në të cilën përgatiten këto ushqime. Deklaron se insektet mund të kenë hyrë në ushqim gjatë transportit.

Por, kur është pyetur për emrat e kompanive që e bëjnë transportin, ai ka thënë se nuk i di dhe se për këtë duhet pyetur dikë nga kuzhina.

“Kemi hetu nëpër kuzhinën qendrore e aty nuk ka pasur  ndonjë problem, Tani ka mbetur të shihen rezultatet pas përfundimit të hetimeve. Nuk i di emrat e kompanive që e kanë ba transportin, duhet me pyet në kuzhinë”, ka thënë Drejtori për Arsim në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj për Express.

Ndërkohë, më herët në media ishte raportuar se në këtë ushqim ishte gjetur një mi. Por, këtë e kishte mohuar zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri.

Tahiri kishte deklaruar se në njërin nga kazanët që furnizojnë çerdhet me ushqim ishin gjetur insekte.

Kishte thënë se e njëjta gjë kishte ndodhur në katër çerdhe, të cilat ishin furnizuar me ushqim nga e njëjta linjë.

 “Në secilën çerdhe, është personi përgjegjës që e verifikon ushqimin para se të shërbehet. Me t’i parë insektet në atë kazan, ai e ka kthyer mbrapshtë ushqimin dhe nuk e ka shpërndarë tek fëmijët. Si rrjedhojë, tek të katër çerdhet që janë furnizuar nga e njëjta linjë, nuk është lejuar që të shpërndahet ushqimi i kohës së drekës”, kishtë thënë Tahiri.

Edhe Tahiri kishte mohuar që fajin për këtë rast e ka kuzhina qendrore.

 “Kuzhina Qendrore është shumë cilësore, dhe insektet nuk janë nga aty. Po të ishte ndryshe, nuk do të kishim problem në vetëm një kazan, por në të gjithë ushqimin dhe në të gjitha çerdhet”, kishte deklaruar Tahiri.

Ndërkohë, për këtë rast kanë reaguar edhe shumë prindër, fëmijët e së cilëve shkojnë në këto çerdhe, të cilët kanë kërkuar të gjendet fajtori për këtë. /Gazeta Express

    Data: 13 Shtator 2018 17:06
    Autori: Arjeta Shabani

    Të tjera