Kthehu lart

Thaçi e Vuçiq nisin takimet në orën 18:00 në Bruksel

Thaçi e Vuçiq nisin takimet në orën 18:00 në Bruksel GazetaExpress

Takimet mes presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksander Vuçiq, me ndërmjetësim të përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, fillojnë në orën në 18:00.

Dy presidentët, Thaçi e Vuçiq, fillojnë takimet e tyre prej orës 18:00, mëson Gazeta Express.

Takimi i sotëm u konfirmua të mërkurën nga Zyra e Mogherinit, e cila sot takon dy presidentët, fillimisht në takime të ndara, e më pas së bashku.

“Në takim pritet që dy liderët ta konfirmojnë gatishmërinë e tyre për të intensifikuar punën për të arritur një marrëveshje të dyanshme për normalizim, e cila është kyçe për rrugën evropiane të këtyre dy shteteve”, thuhej në njoftimin e djeshëm të Zyrës së Mogherinit.

Takimi i fundit mes dy presidentëve është mbajtur në fillim të shtatorit. Që nga atëherë palët nuk kanë pasur takime bilaterale në Bruksel.

Muajve të fundit në Kosovë temë kryesore është dialogu me Serbinë dhe ideja e presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh, që ai planifikon ta shpalosë në Bruksel.

Nuk është arritur konsensus nga spektri politik se si Kosova të paraqitet në tryezë me Serbinë, pasi opozita nuk pranon që dialogu të udhëhiqet nga presidenti Thaçi, shkruan Gazeta Express.

Javën e kaluar opozita nuk arriti ta miratojë në Kuvend rezolutën që ia ndalon Thaçit të flasë për kufijtë e vendit në Bruksel.

Kryeministri Ramush Haradinaj refuzon kategorikisht që me Serbinë të flitet për kufijtë dhe për territorin e Kosovës, ndërkaq presidenti Thaçi lobon edhe më tutje që marrëveshja me Serbinë të arrihet me korrigjim kufijsh.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka dhënë qëndrimin më eksplicit rreth dialogut Kosovë-Serbi, duke deklaruar se nuk duhet të lëvizin kufijtë në Ballkan. Ndryshe nga Gjermania, Austria nuk ka qëndrim refuzues ndaj idesë së Thaçit e kërkesës së zyrtarëve të lartë serbë rreth kufijve.

Kancelari austriak Sebastian Kurz tha dje në Prishtinë se Austria pranon çfarëdo marrëveshje që arrin Kosova dhe Serbia, edhe nëse ajo arrihet mbi korrigjimin e kufijve apo shkëmbimit të territoreve. Sipas Kurz, qëndrim të njëjtë ka Bashkimi Evropian. /Express/

    Data: 08 Nentor 2018 12:23
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera