Kthehu lart

Sopotasit padisin shtetin e Maqedonisë, seanca e parë më 24 dhjetor

Sopotasit padisin shtetin e Maqedonisë, seanca e parë më 24 dhjetor GazetaExpress

Sopotasit kanë paditur shtetin. Institucioni Avokati i shtetit ka nisur procedurën. Alsat mëson se seanca e parë është caktuar më 24 dhjetor. Njoftimi i Avokatit të shtetit në këtë dikaster është dërguar më 28 nëntor. Megjithatë Ministria e Drejtësisë akoma nuk ka dhënë mendimin institucional lidhur me padinë edhe pse seanca është caktuar. 

Gazeta Express përkujton se në rastin e Sopotit nga gjykata maqedonase ishin dënuar 11 persona, nga të cilët njëri vdiq në burg, kurse 4 mbetën të pakapshëm për organet e rendit. Gjashtë të akuzuarit që ishin të pranishëm në seancën e rigjykimit, me kërkesë të Prokurorisë Speciale Publike dhe që, pas 15 viteve të kaluara në burg, u liruan për mungesë provash, paralajmëruan se do të kërkojnë dëmshpërblim për burgun që vuajtën.

Ata ishin dënuar me mbi 150 vjet burg për një shpërthim që kishte ndodhur në fshatin e tyre, që ndodhet afër kufirit me Serbinë. Nga shpërthimi i një mine në vitin 2003 kishin humbur jetën dy ushtarë polakë të forcave të NATO-së dhe një shoqërues civil.

Dikasteri i Drejtësisë i Renata Deskoskas njofton se në kabinetin e ministres nuk ka arritur asnjë shkresë dhe në momentin që do të kenë, do ta njoftojnë opinionin.

Drejtësia shkel afatet ligjore pasi që mendimi i kërkuar nga institucioni Avokati i shtetit obligon institucionet që në afat prej 5 ditëve të përgjigjen në përputhje me ligjin.

Ndërkohë Avokati i shtetit në Qeveri ka dorëzuar kërkesë për marrëveshje mes palëve me qëllim anashkalimin e procesit gjyqësor dhe harxhimeve gjyqësore.

Nga Qeveria thonë se kërkesa akoma nuk ka arritur, por nuk përjashtojnë mundësinë që të ndodhet në arkivin e organit ekzekutiv dhe se deri të hënën mund të pranohet nga kabineti i kryeministrit.

Pas mohimit të kërkesës për dëmshpërblimin nga ministria e Drejtësisë, Sopotasit vendosën të gjejnë zgjidhje gjyqësore.

Avokati mbrojtës i tyre ka kërkuar dëmshpërblim prej 12 mijë denarëve për çdo dit të kaluar në burg.

Alsat mëson se Gjykata Supreme ka caktuar vlerë të përgjithshme për rastet e dëmshpërblimit nga 3-6 mijë denarë për një ditë vuajtje në burg.

Vlera e ofruar nuk është përcaktuar ekskluzivisht për rastin Sopoti por për të gjitha rastet gjyqësore ndaj shtetit.

Në rast se Qeveria dhe Sopotasit arrijnë marrëveshje për dëmshpërblim, procesi gjyqësor merr fund në seancën e parë.


    Data: 07 Dhjetor 2018 15:05
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera