Kthehu lart

Si po e manipulon Presidenti Thaçi Kryeministrin Haradinaj në luftë kundër SHBA'së dhe BE'së?

Si po e manipulon Presidenti Thaçi Kryeministrin Haradinaj në luftë kundër SHBA'së dhe BE'së?  Kur Thaçi mashtroi Haradinajn se do t'ia lironte pozitën e Kryeministrit... GazetaExpress

E gjitha karriera politike e Ramush Haradinajt ka qenë e ndërtuar në një oponencë kundër Hashim Thaçit. Ai ishte parë si njeriu që mund ta mbajë nën kontroll liderin e PDK'së. Një raport i tillë u përmbys shumë shpejt. Por për çfarë arsye?

Raportet e Ramush Haradinajt me Hashim Thaçin, prej kur këta e kanë njohur njëri tjetrin, nuk kanë qenë as afër nivelit për t'u konsideruar miq, ose aleat, ose partnerë.

Madje, vetëm formimi i AAK'së si parti politike, fill pasluftës, prej shumë analistëve dhe komentatorëve ishte konsideruar si një akt sabotazhi i bashkësisë ndërkombëtare kundër Hashim Thaçit dhe PDK'së.

Haradinaj ishte përzgjedhur si njeriu më i guximshëm nga krahu i luftës për t'u përballur me partinë kryesore të krahut të luftës, PDK'në, e cila në vitet e para të krijimit të saj kishte arritur që përmes arrogancës të nënshtronte çdo gjë që i dilte para saj.

LDK ndonëse e kishte përkrahjen e fuqishme popullore, nuk e kishte guximin e duhur për t'i nderuar votat që i merrte. Për këtë arsye, thuhet gjithandej, ishte zbuluar Haradinaj, respektivisht AAK, për të funksionuar si krahu ushtarak i LDK'së, në përballje me PDK'në.

Këtë rol edhe e kishte pranuar Haradinaj. Në zgjedhjet e dyta nacionale në Kosovë, ato të vitit 2003, kishte pranuar pa asnjë problem që të shkonte në koalicion me LDK'në duke e lënë PDK'në në plazh për tri vjet me radhë. Për shkak të problemeve me drejtësinë Haradinaj nuk kishte arritur që ta përfundonte atë mandat. Për shkak të sëmundjes, as Rugova nuk arriti që ta mbyllte mandatin e tij. Mirëpo ajo çfarë kishte ngelur në memorie kishte qenë një lloj afrie, një lloj kimie, në mes të Rugovës dhe Haradinajt.

Ky raport Haradinaj - Rugova, i kishte bindur shumë zyrtarë të LDK'së që të kalonin në AAK, si bastioni më i fortë anti - Thaçi, kur partia e tyre, LDK, ishte ofruar më shumë se sa duhet me Thaçin, posaçërisht në vitet 2007 - 2014.

Sigurisht që gjatë gjithë kësaj kohe Haradinaj, kundër Thaçit dhe rrethit të tij, e kishte përdorur një gjuhë shumë të ashpër. Madje, për shkak të kësaj historie, për shkak të mashtrimeve të shumta që Thaçi ia kishte bërë Haradinajt, shumë kush kishte pritur, që edhe përkundër koalicionit PDK - AAK, raporti Thaçi - Haradinaj nuk do të shkrihej lehtë. Pritjet për Haradinajn ishin shumë më të mëdha se sa për Thaçin.

Mirëpo duket që e gjitha paskësh qenë vetëm një dëshirë. Ajo çfarë kemi parë javëve të fundit është e gjitha një romansë Thaçi - Haradinaj, të cilën z. Kadri Veseli vetëm mund ta xhelozojë. Një gjë e tillë kurrë nuk është vërejtur më shumë se sa tash për Gjykatën Speciale. Z. Thaçi, sikur me magji, është duke e kontrolluar plotësisht z. Haradinaj. Mbetet e paqartë nëse ky është manipulim, apo thjeshtë në këtë rast interesat e Thaçit dhe Haradinajt po përputhën.

Ajo që dihet është që Haradinaj, për momentin është vetëm një back vocal, për të cilin nuk dihet qartë se çfarë interesash po mbron, apo po i mbron vetëm interesat e z. Thaçi

    Data: 24 Janar 2018 17:46
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera