Kthehu lart

Si ia zuri pritën Hashim Thaçi Medvedevit në Pallatin e Erdoganit

Si ia zuri pritën Hashim Thaçi Medvedevit në Pallatin e Erdoganit GazetaExpress

Presidenti i Kosovës realizoi një takim të çuditshëm në Ankara me Kryeministrin e Rusisë Dimitry Medvedev. Në fakt, në bazë të fotografisë që e shpërndau Thaçi në rrjetet sociale nuk bëhet fjalë për ndonjë takim protokollar e bilateral, aty Medvedev më shumë duket i zënë gafil. Bekim Çollaku, shef i stafit të Presidentit, nuk ka dhënë asnjë hollësi rreth takimit. Analisti Astrit Gashi thotë se ajo që ndodhi mes Thaçit e Medvedev nuk ishte as takim.

Presidenti Hashim Thaçi e ka shfrytëzuar rastin për t’i dalë përpara kryeministrit rus Dimitry Medvedev, gjatë pritjes në Ankara në kompleksin presidencial “Ak Saray”,  ku shefi i shtetit turk Recep Tayyip Erdogan, tashmë me kompetenca prej monarku, organizoi pritje për rreth 40 burrështetas, kryesisht të botës së tretë dhe miq të tij ballkanikë si puna e Edi Ramës e Hashim Thaçit. 

Hashim Thaçi i cili  kritikohet për shkak të raporteve me autokratin turk e sidomos për favorin e fundit që ia bëri duke ia  dorëzuar 6 shtetas turq, pjesëtarë të Lëvizjes Gylen, të cilët kërkohen nga Erdogan me pretekstin se janë  armiq që synojnë t’ia marrin pushtetin, deshi të tregojë se udhëtimi në Ankara kësaj here ishte i frytshëm.

Ai postoi në rrjetet sociale një fotografi me Kryeministrin e Rusisë Dmitry Medvedev i cili kishte udhëtuar në Turqi për të marrë pjesë në ceremoninë inauguruese të Erdogan me instruksione të Putin.

Fotografia ishte pak e çuditshme për faktin se Medvedev dukej se ishte duke ecur, ndërsa Thaci sikur të ia kishte zënë rrugën.

Por, në postimin e tij në FB, Thaçi ka lënë të kuptohet se gjithçka që ka ndodhur me Medvedev ishte normale, pavarësisht se dy palët pothuajse nuk kanë asnjë komunikim zyrtar që prej kohës së UNMIK’ut kur në Kosovë kishte qëndruar shefi i diplomacisë ruse Sergey Lavrov. Moska ishte hidhëruar me Kosovën dhe Perëndimin si sponsor pas shpalljes së pavarësisë më 2008.

Në Presidencë nuk kanë asgjë për të ndarë rreth takimit Thaçi-Medvedev.

Bekim Çollaku, shef i stafit të Presidentit, ka thënë për Gazetën Express se ‘nuk ndan informata të natyrës së tillë’, kur është pyetur se sa ka zgjatur takimi i Thaçit me kryeministrin rus dhe si ndodhi ai.

Kuptohet Qeveria ruse as që ka njoftuar për një takim Medvedev-Thaçi.

Analisti Astrit Gashi thotë se takimi mes Thaçit e Medvedev nuk ishte as takim. Sipas Gashit, ajo ishte veç një fotografi që efektin më të madh që mund ta ketë është zemërimi i radikalëve serbë.

“Një shtrëngim duarsh - efekti i të cilit është një fotografi që e bën nervoz ndonjë radikal të mbetur të Sheshelit në Serbi”, ka thënë Gashi për Gazetën Express.

Rusia tash e 10 vjet mban qëndrim armiqësor ndaj shtetit të Kosovës duke e mbështetur Serbinë në forume të ndryshme ndërkombëtare.

Tash që pritet të fillojë faza e fundit e bisedimeve, po qarkullojnë ide që Moska të përfshihet në bisedimet Kosovë -Serbi, në një format të ri ku do të involvoheshin direkt dhe SHBA’të.

Por, hë për hë, një ide e tillë është hedhur poshtë. /Express/

    Data: 11 Korrik 2018 11:18
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera