Kthehu lart

Si eskaloi konflikti i heshtur ndërmjet Lutfi Hazirit dhe Vjosa Osmanit

Si eskaloi konflikti i heshtur ndërmjet Lutfi Hazirit dhe Vjosa Osmanit GazetaExpress

Mesazhet që u çonte Lutfi Haziri publikisht disa prej deputetëve të rinj të LDK’së, veçmas Vjosa Osmanit, janë mohuar menjëherë, ani pse qartazi kuptoheshin se Haziri po ua tregonte vendin këtyre deputetëve. Vetëm mbrëmë përplasja mes dyshes Lutfi Haziri – Vjosa Osmani eskaloi aq sa ta quanin njëri-tjetrin mashtrues.

Brenda Lidhjes Demokratike prej kohësh zhvillohet drama e përplasjeve të kryesisë së partisë me deputeten Vjosa Osmani. Fillimisht kryetari Isa Mustafa, pastaj edhe nënkryetarët kanë pasur probleme me të.

Tash Osmani ka rregulluar raportet me Mustafën, por lufta është zhvendosur diku tjetër, te rivaliteti që kanë krijuar emrat që konsiderohen si aspirantë të marrjes së kreut të partisë. Lutfi Haziri e Vjosa Osmani janë dy prej emrave të rëndësishëm që partisë, që kanë raporte të acaruara mes vete.

Mbrëmë nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, kishte zgjedhur tre deputetë të partisë së tij që t’i gozhdonte, për një vizitë që ata e kishin bërë në fshatin Boletin të Zubin Potokut, si shenjë kundërshtimi të ndarjes së Kosovës.

Atje kishin shkuar deputetët Vjosa Osmani, Armend Zemaj e Haxhi Avdyli, por Haziri tha se hallin e kishte me Vjosën, të cilen ai e quante “nuse të Preshevës”, që po e tradhton Luginën për vota.

Haziri, propozues/adhurues i idesë së ndryshimit të kufijve, e sulmoi direkt deputeten, duke thënë ajo se e ka vizituar kullën e Isa Boletinit e ‘po shet mend’ për përfitime elektorale.

“Nuk po çuditna me Armend Zemajn e Haxhi Avdylin, por po çuditna me këtë nusen e Preshevës, vendlindjes së Idriz Seferit, e cila po shet men te Boletini i Kosovës, tue harrue vendlindjen e kolosit të Karadakut që sot gjendet në Serbi”, shkroi Haziri në Facebook.

E, Osmani kësaj radhe nuk hezitoi t’i kthente sulmin nënkryetarit të partisë.

Deputetja e akuzoi nënkryetarin e partisë së saj se po e mashtron Lurginën e Preshevës bashkë me Presidentin Thaci.

“Para se të jem nuse e Preshevës, unë jam bijë e Mitrovicës. Atyre që i bëjnë argat idesë së ndarjes do u thosha marre ju koftë, por kurrë në jetën e tyre s’kanë pasur as marre e as fytyrë”, shkroi Osmani.

Në emër të unitetit të brendshëm në të cilin thirren deputetët e LDK’së kishin mohuar se figurat kyce të kësaj partie kanë rivalitet mes vete.

Deputetja Osmani që nga fushata e zgjedhjeve të qershorit është kujdesur të tregoj se partia e saj më nuk po vuan nga përçarjet e brendshme, edhe pse në po të njëjtat zgjedhje mezi ishte bërë pjesë e listës zgjedhore.

Ajo ishte listuar e 82-ta dhe deri atëherë kryesia e partisë së LDK’së nuk deklaroheshin nëse do ta lejonin të hynte në listën zgjedhore për shkak të kundërshtimeve që kishte pasur me ta që kur ishte krijuar koalicioni qeverisës i LDK’së me PDK’në, në vitin 2015. Isa Mustafa ishte zgjedhur kryeministër e Hashim Thaçi pak muaj më vonë president, por Vjosa Osmani me disa deputetë të tjerë të LDK’së, nuk e kishte votuar asnjërin.

Çështja e bashkimit të Luginës së Preshevës, të cilën e mbështet Haziri, është tema që në LDK ka sjellë sërish mosmarrëveshje. Sërish mosmarrëveshjet brenda partisë së Mustafës lidhen me Presidentin Thaçi.

Derisa nënkryetari i LDK’së dhe Presidenti Thaçi janë të një mendimi, kur flasin për lëvizjen e kufijve, bashkëpartiakët e Hazirit e quajnë këtë ide vulosjen e ndarjes së territorit të Kosovës. /Express/

    Data: 12 Shtator 2018 18:32
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera