Kthehu lart

Shteti ua pezulloi sërish punën 16 organizatave që dyshohen për lidhje me grupe radikale (Dokument)

Shteti ua pezulloi sërish punën 16 organizatave që dyshohen për lidhje me grupe radikale (Dokument) Mentor Gjergjaj Autori: Mentor Gjergjaj GazetaExpress

16 organizatave joqeveritare Ministria e Administratës Publike ua ka pezulluar punën tash e tre muaj, për shkak të veprimtarisë së tyre të dyshimtë dhe lidhjes me grupet që shpërndajnë islamin radikal në Kosovë. 13 prej këtyre organizatave ishin pezulluar edhe në tetor të vitit 2015. Gjatë 2016-s, MAP-ja pezulloi veprimtaritë e gjithsej 21 organizatave fetare, për të njëjtat dyshime. 

AKEA (Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim), Al-Waqaf Al Islami, Kalliri i Mirësisë, Sinqeriteti, Çelësi, Pema e Bamirësisë, KAD (Kosova Aid Development), Rinia Istogase, Hektari - HE, Ndjeshmëri, Parimi, Gjurma dhe Mesxhidi Studentor janë 13 organizatat joqeveritare që Ministria e Administratës Publike ua ka vazhduar suspendimin e veprimtarisë në nëntor të vitit që lamë pas – 2016. 

Të gjitha këto organizata kishin marrë vendim të njëjtë për pezullim të punës, më 26 tetor të 2015-s. Krejt kjo për shkak se veprimtaria e këtyre organizatave kishte rënë në fokus të dyshimeve se janë të lidhura apo të financuara nga organizata të dyshimta e që lidhen me terrorizmin dhe promovonin islamin radikal. Gazeta Express vazhdimisht ka raportuar për këto veprime të dyshimta të këtyre organizatave, e që pretendohet se ndikuan te shumë të rinj kosovarë të radikalizoheshin. 

Por, MAP në vendimin e fundit të saj, të nxjerrë më 8 nëntor 2016, përveç këtyre 13 organizatave që ua ka vazhduar pezullimin e veprimtarisë, punën ua ka pezulluar edhe tri organizatave tjera joqeveritare, për të njëjtat dyshime. Bëhet fjalë për Institutin për Kulturë dhe Studime Bashkëkohore (IKSB), Patent Help Fund (PHF) dhe organizatën Devotshmëria.

Megjithatë, MAP-ja në vendimin e tyre nuk ka dhënë detaje për arsyet e pezullimit të veprimtarisë së këtyre OJQ-ve, shkruan Gazeta Express. 

“Departamenti për organizata joqeveritare Ministria e Administratës Publike, në pajtim me Nenin 9 paragrafi 9 lidhur ne nenin 16 paragrafi 4 të Ligjit Nr.04/L–57 Për Lirinë e Asociimit në Organizatat Joqeveritare, dhe nenin 18 paragrafi 1 të Udhëzimit Administrativ QRK-NR. 02/2014 për Regjistrimin dhe Funksionimin e Organizatave Joqeveritare, duke vendosur sipas kërkesës së Organit Kompetent të Sigurisë, më datë 08.11.2016 ka marr vendim për Pezullimin e Veprimtarisë së OJQ-ve si vijim:...”, thuhet në vendimin e publikuar më 16 nëntor 2016, ku më pas jepen emrat e OJQ-ve. 

Po gjatë vitit 2016, MAP kishte pezulluar edhe pesë organizata tjera të njohura për veprimtari të afërta me islamin radikal e që thirreshin në bamirësi. 

Shoqata Kulturore Kur'ani, Instituti për Shkencat Humane Ibni Sina, Organizata Edukative Kulturore NISA, Shoqata Fetare Ehli Bejti (Prizren) dhe Shoqata për Shërbime Edukative dhe Kulturore ‘BREGU I DIELLIT’, ishin pezulluar më 27 qershor 2016. 

Në asnjërën prej vendimeve nuk ceket periudha kohore se sa do t'u zgjasë pezullimi këtyre organizatave, porse nga praktikat në të kaluarën, kjo masë është mbajtur në fuqi për një vit, në rast se MAP nuk ka nxjerrë ndonjë vendim tjetër për to, gjatë asaj periudhe. 

Ndryshe, organizata AKEA, e pezulluar për të disatën herë, është njëra ndër një organizatat më të fuqishme joqeveritare në Kosovë, e regjistruar qysh në vitin 2004. Gazeta Express kishte raportuar në shkurt të 2014’ës se kjo OJQ me seli shumëkatëshe në lagjen Arbëria të Prishtinës drejtohej nga imami i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Husamedin Abazi. /M.Gj. /GazetaExpress/

    Data: 09 Janar 2017 15:03
    Autori: Mentor Gjergjaj

    Të tjera