Kthehu lart

Shala flet për "korigjimin e kufirit" me Serbinë - rrethanat kanë ndryshuar

Shala flet për "korigjimin e kufirit" me Serbinë - rrethanat kanë ndryshuar GazetaExpress

Blerim Shala, këshilltar politik i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme përfundimtare, mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel.

Shala ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se mbështetësit ndërkombëtar të Kosovës u kanë sugjeruar udhëheqësve të Kosovës që të kërkojnë njohjen reciproke, formale, mes Kosovës e Serbisë.

Sipas tij, “njohja eventuale, nuk do të thotë që me automatizëm zgjidhen të gjitha problemet”.

Ai ka thënë se Kosovës e Serbisë do t’i mbeteshin edhe shumë çështje të rëndësishme për t’i diskutuar.

Shala ka kujtuar se Serbia i ka borxh Kosovës fondin pensional, ndërsa ka vlerësuar se demarkacioni i kufirit Kosovë-Serbi po ashtu do të jetë problem.

Ai po ashtu ka folur për idenë e presidentit Thaçi për “korrigjim kufijsh” mes Kosovës e Serbisë.

Shala ka thënë se Thaçi dikur mbante qëndrimin se shkëmbimi i territoreve me vendin fqinj është “shumë i rrezikshëm”.

I pyetur se çfarë ndryshoi në javët e fundit, ai është përgjigjur: “Ndryshoi botëkuptimi, apo logjika, që ndoshta me një marrëveshje gjermano-gjermane, pa njohjen formale, mund ta hapim derën nga OKB’ja”.

“Ndërroi qëndrimi i SHBA”, ka shtuar Shala. “Po insistohet që Kosova dhe Serbia ta arrijnë një marrëveshje, të provojnë...”, ka theksuar ai.

Sipas Shalës, nuk është biseduar asnjëherë në mënyrë eksplicite për kufijtë në dialogun në Bruksel. “Nuk ka ndodhur kjo”, ka thënë Shala. /Express/

    Data: 12 Shtator 2018 21:14
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera