Kthehu lart

Sejdiu: Diskutimet për të gjetur një konsensus duhet të bëhen në Kuvend

Sejdiu: Diskutimet për të gjetur një konsensus duhet të bëhen në Kuvend GazetaExpress

Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, ka folur pas pjesëmarrjes në takimin e thirrur nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Sejdiu ka thënë se të gjitha diskutimet për gjetjen e një konsensusi të përbashkët në mes partive politike për bisedimet me Serbinë duhet të bëhen në Kuvendin e Kosovës dhe se partia e tij do të marrë pjesë në të gjitha takimet për të shfaqur qëndrimin e saj.

Draft-rezolutën e propozuar nga Veseli, Sejdiu e ka quajtur si një dokument që nuk e plotëson kriterin minimal dhe se përmbajtja pa proces nuk garanton asgjë pa u diskutuar në Kuvendin e Kosovës.

Sejdiu ka thënë se tryeza e mbajtur sot nuk është e para dhe sipas tij po shihet që do të ketë tentativa për të pasur edhe tjera takime të këtij lloji.

Ai po ashtu e ka përmendur edhe vendimin që Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh shefi i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj të jetë kryenegociator, duke e quajtur këtë si një hap të ngutshëm të qeverisë.

“Zgjedhja e Limajt për kryenegociator ka qenë hap i ngutshëm i Qeverisë. Kjo është një situatë konflikti në mes të pushtetit dhe opozitës. Ne nuk besojmë në persona që nuk dihet se cila është detyra e tyre”, është shprehur Sejdiu.

Sejdiu ka thënë se partia e tij ka prezantuar një mocion përmbajtjesor me katër pika, që nga data 20 korrik, menjëherë pas deklaratave të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për korrigjim kufijsh, e që ky mocion nuk është votuar ende.

Ai tutje ka shtuar që i gjithë diskutime për gjetjen e një konsensusi të përbashkët për bisedimet me Serbinë duhet të bëhet në Kuvend.

“Nuk mund të sillemi sikur kjo është një lojë futbolli, kush jep më shumë gola, pra kush bën më shumë diskutime publike, këto diskutime duhet të bëhen në Kuvend”, ka theksuar Sejdiu.

Ai ka thënë se PSD-ja do të marrë pjesë nëpër çdo takim të tillë, për të shprehur qëndrimin e saj. /GazetaExpress

    Data: 11 Tetor 2018 13:20
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera